LAJMI I FUNDIT:

​PDK kritikon pushtetin për ngecje në zbatimin e Udhërrëfyesit për energji

​PDK kritikon pushtetin për ngecje në zbatimin e Udhërrëfyesit për energji

Janë bërë pesë muaj që kur Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për kompaninë serbe “Drustvo Elektrosever” për katër komunat veriore me shumicë serbe, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Megjithatë, udhërrëfyesi ende nuk po zbatohet në këto komuna të vendit.

Sipas udhërrëfyesit, në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për “Elektroseverin”.

Ndërsa, ende zyrtarisht nuk ka ndonjë përgjigje për këtë çështje nga ana e ZRRE-së dhe Ministrisë së Ekonomisë.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, deputet i PDK-së, Ferat Shala kritikon ekzekutivin për mos zbatimin e marrëveshjes për energji në veri të Kosovës.

Deputeti Shala thekson se Qeveria dhe Bashkimi Evropian po heshtin ndaj mos zbatimit të udhërrëfyesit. Ai shtoi se kompania “Elektosever”, ka shkelur afatet e përcaktuara me marrëveshje.

“Ne humbëm vite të tëra, duke u marrë me negociata për të krijuar dhe ndërtuar një Udhërrëfyes, i cili është 100 për qind i ngjashëm me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pas shumë zhurmave, tashmë ka heshtje. Kështu që udhërrëfyesi nuk po zbatohet, dhe ka rënë nga skena e debatit politik, dhe implementimit të institucioneve të vendit. Po ashtu, ka heshtur edhe Bashkimi Evropian, si dhe Qeveria e Kosovës. Ndërsa, ajo që po rrjedhë është paraja e qytetarëve tanë në drejtim të veriut. Dhe fatkeqësia është që, për të harruar udhërrëfyesin, tash është bërë një aferë ekstreme për targat”, thotë ai.

Deputeti Shala nga partia më e madhe opozitare, ngrit shqetësimin edhe për rritjen e trendit të importit të mallrave nga Serbia.

Shala në një intervistë për KosovaPress thotë se këtë vit, Kosova ka importuar 1 milion e 100 mijë euro në ditë mallra nga Serbia, për çka kritikon Qeverinë Kurti.

“Rreth 1 milion e 100 mijë euro në ditë kemi importe të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe nëse e marrim totalin për 10 të muaj të këtij viti, kemi mbi 310 milionë euro të hyra mallra nga Serbia në Kosovë.

Por, nëse e krahasojmë me premtimet elektorale dhe paraelektorale, në pjesën e të bërit opozitë nga Vetëvendosje kur rrokullisshin kamionë e bëhej protestë e grevë edhe në ditë dimri në pikat kufitare, sot si asnjëherë tjetër kjo qeveri ka hapur portat e importit të mallrave të Serbisë në Kosovë. Kështu që, shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për një invazion (pushtim) të skajshëm alarmant të mallrave serbe në Kosovë”, thekson Shala.

Sipas tij, Vetëvendosje sa ishte në opozitë bëri çmos kundër mallrave serbe, derisa tash siç tha Shala, harruan fjalën ‘reciprocitet’.

Për dhjetë muaj të këtij viti, ai thotë se vendi ynë importoi 310 milionë euro mallra nga Serbia.

“Ky trend vazhdon të rritet krahas secilës periudhë të 20 vjetëve të fundit. Pra, trendi rritës është i jashtëzakonshëm dhe si duket qeveria ka harruar komplet sferën ekonomike dhe sferën tjetër të importit dhe të partneritetit apo reciprocitetit të proklamuar shumë. Dhe më nuk ka reciprocitet te asnjë fjalor, as në veprim e as në dogana. Pra, 310 milionë euro, importe për 10 muaj të këtij viti kalendarik nga kjo qeveri”, thotë ai.

Deputeti Shala ka kritikuar qeverinë po ashtu edhe për ngecjen e zhvillimit ekonomiko-social në vend.