PDK-ja dorëzon sot kallëzim penal ndaj Avni Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të dorëzojë sot në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, në cilësinë e kryesuesit të përkohshëm të seancës konstituive të Kuvendit.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në një konferencë për media, duke thënë se kallëzimi penal bëhet mbi dyshimin për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës.
Gruda tha se Dehari, si kryesues i seancës konstituive, ka obligim të veprojë në përputhje me përgjegjësitë e tij zyrtare.
“Nuk mund të ketë asnjëherë një situatë ku një person publik ka autorizime zyrtare, të cilat nuk i përdorë ose i përdorë në mënyrë kundërligjore dhe të mos ketë pasoja. Ne jemi shoqëri e organizuar në shtet, nuk jemi shoqëri e organizuar në fis”, deklaroi Gruda.
Sipas PDK-së, Dehari dyshohet se që nga 8 gushti 2026 nuk e ka përmbushur detyrën për vazhdimin e seancës konstituive brenda afatit prej 48 orësh.
Partia opozitare pretendon se kryesuesi i seancës e ka kushtëzuar vazhdimin e saj me arritjen e një “marrëveshjeje politike”, pavarësisht kërkesave të përsëritura të grupeve parlamentare opozitare.
Në kallëzimin penal, PDK-ja ka përfshirë kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive.
Sipas PDK-së, mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje.
“Z. Dehari duhet ta dijë që nuk është i pari i fisit, por është kryesues i një organi të shtetit dhe kërkohet që të veprojë”, tha Gruda.
PDK-ja ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta trajtojë kallëzimin penal në përputhje me ligjin dhe të hetojë nëse ekziston përgjegjësi penale lidhur me mosvazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Pretendimet e PDK-së ndaj Deharit janë pjesë e kallëzimit penal dhe përgjegjësia eventuale penale do të përcaktohet nga organet e drejtësisë. /Telegrafi/





































