LAJMI I FUNDIT:

PDK e Istogut shkarkon kryetarin dhe kryesinë

PDK e Istogut shkarkon kryetarin dhe kryesinë

Këshilli Drejtues i PDK-së dega në Istog, ka marrë vendim për shkarkimin e kryetarit, Lulzim Shoshi dhe kryesisë së kësaj dege, pas rezultatit në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Këshilli thekson se me shumicë votash është marrë ky vendim për ti hapur rrugë reformave dhe unifikimit të degës sonë, me qëllim që PDK të kthehet aty ku e ka vendin dhe aty ku presin votuesit tanë. Tutje thuhet se vendimi është marrë dy ditë më parë.

“Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e krijuar në Partinë Demokratike të Kosovës me mungesën e liderit historik të PDK, ish presidentin e Kosovës z. Hashim Thaqi, si dhe mungesën e Kryetarit tonë z. Kadri Veseli të cilët padrejtësisht po akuzohen e gjykohen, në Hagës nga Gjykata Speciale, ne Dega e PDK në Istog, japim mbështetjen e plotë strukturave drejtuese të Partisë Demokratike të Kosovës dhe UD të Kryetarit të PDK z. Enver Hoxha, për fushatën brilante të bërë gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, si dhe punën e madhe që po e bëjnë në vazhdimësi.

Këshilli drejtues i PDK Dega në Istog, sot ka marrë një vendim për shkarkimin e Kryetarit z. Lulzim Shoshi dhe Kryesisë së Degës së PDK në Istog, për arsye të shumta, si keq menaxhimi i degës, përçarja e të gjitha strukturave të saj nga vet kryetari, arrogance e tepruar ndaj secilit anëtar, mungesa e plotë e aktivitetit të degës në të gjitha nivelet, ngulfatja e debatit të brendshëm, qëndrimi në bashkëqeverisje me LDK pa një marrëveshje të shkruar, ku edhe sot e kësaj ditët nuk dihen parimet e qeverisjes së përbashkët, ku nga kjo marrëveshje më së paku janë implementuar politikat e PDK”, thuhet në njoftim.

PDK dega në Istog thekson se iniciativa për dorëheqje në shenjë pakënaqësie për kryetarin Shoshi ka filluar muaj më herët nga strukturat e degës.

“Si reagim ndaj udhëheqjes, si dhe përformancës së dobët, patën dhënë dorëheqje 8 anëtarë të kryesisë së degës, prej tyre edhe Kryetarja e Gruas Demokratike, Kryetarja e Rinisë Demokratike, duke gjetur përkrahjen kështu edhe të 4 asamblistëve që i ka dega, po ashtu 2 prej 3 drejtorëve që janë pjesë e qeverisë komunale etj.

Mirëpo edhe përkundër kërkesave të tyre dhe të gjitha strukturave tjera, kryetari Shoshi nuk dëshironte të dëgjonte këto thirrje, duke vazhduar me arrogancë ndaj çdo zëri dhe kërkese brenda strukturave të partisë. Shkaku i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për shkak të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, strukturat drejtuese të degës e stopuan këtë iniciativë përkohësisht deri pas përfundimit të zgjedhjeve, me qëllimin e vetëm që mos të ndikohej rezultatin e këtyre zgjedhjeve, edhe pse nga ne, rezultat ka qenë i pritur”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/