LAJMI I FUNDIT:

PDK dhe PSD kundër që Kurti ta merr vaksinën i pari antiCOVID

PDK dhe PSD kundër që Kurti ta merr vaksinën i pari antiCOVID

Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë thënë se kryeministri Albin Kurti, nuk do të duhej ta merrte i pari vaksinën antiCOVID, pasi që e ka kaluar një herë virusin.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë se Kurti do të duhej të ishte i fundit që e merr këtë vaksinë, transmeton Telegrafi.

“Në shumë vende të botës, liderët politikë e kanë marrë të parët vaksinën për t’i dëshmuar shoqërisë se vaksina anti-covid nuk është e rrezikshme, duke u dhënë shembull qytetarëve të atij vendi. Rasti i Kosovës është e kundërta. Kryeministri sot nuk do të duhej të ishte i pari, por i fundit që do të vaksinohej. E para, Albini e ka kaluar Covidin një here”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai ka shkruar “e dyta, janë disa kategori që janë më të rrezikuar, siç janë mjekët, infermierët, policët dhe kategoritë tjera, duke përfshirë shumë qytetarë në moshë të shtyrë dhe të sëmurë”.

“Me një numër kaq të kufizuar të dozave, Albin Kurti do të duhej që ta priste rendin e tij sipas një kategorizimi të duhur në bazë të nevojave e jo të vrapojë që ta marrë i pari atë. Së pari, le ta kryej punën e tij si kryeministër e le t’i sigurojë dozat tjera. Këto vaksina janë lëmoshë për kategorinë më të rrezikuar e jo për politikanët, që edhe ashtu i kanë kushtet e shërbimet më të mira”, është shprehur Bytyqi.

Tutje, ai e ka përmendur edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ka pritur rendin për të marr vaksinën antiCOVID.

“Nëse nuk ju duken këto argumente të mjaftueshme, shikojeni kancelaren gjermane, Angela Merkel që e pret rendin e saj, edhe pse vaksina është zbuluar nga dy shkencëtarë gjermanë”, pohon ai.

Ndërkaq, Frashër Krasniqi thotë se kryeministri Kurti po e shfrytëzon privilegjin e pushtetit për të marrë vaksinën.

“Albin Kurti nuk ka asnjë arsye që të vaksinohet. Ai e ka kryer virusin, ndërkohë që Kosova ka marrë një numër jashtëzakonisht të vogël të vaksinave anti-Covid. Liderë të ndryshëm botërorë janë vaksinuar, ndër të tjera për të bindur qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë. Por ky kontigjent i vaksinave nuk është për vaksinim masiv. Është për punëtorët e shëndetësisë, të cilët s’kanë nevojë ta shohin Albin Kurtin tek vaksinohet, për t’u bindur që ta marrin vaksinën. Albin Kurti po e shfrytëzon privilegjin e pushtetit”, thotë ai.

Krasniqi thotë se Kurti po vaksinohet ashtu siç stafi i tij kanë bërë testet e para për COVID-19.

“Po vaksinohet, ashtu siç në qeverinë e tij të parë, ai dhe i gjithë stafi i tij i bënë testet para të gjithë qytetarëve të tjerë. Albin Kurti do që të tregojë që jeta më e rëndësishme në këtë vend, është jeta e tij, edhe kur kjo nuk është në rrezik. Edhe kur duhet t’ia rrezikojë jetën ndonjë qytetari tjetër që nuk do të marrë vaksinën që po e hargjon sot Albin Kurti”, shtoi ai.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti sot do të vaksinohet me vaksinën AstraZeneca – Oxford COVID-19.

Kurti vaksinën do ta merr në sallën e sporteve “1 Tetori”, Prishtinë në ora 16:30. /Telegrafi/