LAJMI I FUNDIT:

PDK dënon kërcënimet ndaj Lladrovcit

PDK dënon kërcënimet ndaj Lladrovcit

Partia Demokratike e ka dënuar ashpër kërcënimet e fundit ndaj kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës është e interesuar jetësisht që vullneti i qytetarëve të Kosovës të shprehet lirshëm dhe të vije në shprehje përmbajtësisht demokracia, pa kurrfarë dallime dhe në të gjitha komunat e Kosovës.


“Jemi kundër çdo keqpërdorimi, kundër çdo shkelje të procedurave dhe kundër çdo kërcënimi që ky vullnet të ndryshohet. Jemi të shqetësuar dhe të brengosur për rastin e Drenasit, konkretisht kërcënimit që iu është bërë në adresë të kryetarit aktual dhe të ardhshëm të Komunës së Drenasit, Ramiz Ladrovci”, ka shkruar Abdullahu.

Zëdhënësi i PDK ka kërkuar nga organet kompetente që të zbardhin çdo kërcënim dhe të ndërmarrin masa adekuate kundër të gjithë atyre që guxojnë të kërcënojnë këdo në Kosovë.

“Vullneti i qytetarëve të Drenasit nuk mund të ndryshohet më kërcënime. Demokracia, konkretisht vullneti i lirë i qytetarëve të kësaj komune do të ngadhënjej dhe PDK mbron me konsekuencë këto vlera”, tha Abdullahu.