LAJMI I FUNDIT:

Pavarotti, Billie Holday dhe unë: Sekreti i këngëtarit të madh

Pavarotti, Billie Holday dhe unë: Sekreti i këngëtarit të madh

Nga: Ian Bostridge
Përktheu: Telegrafi.com

Tenori më ikonik i jetës sime – e, për sa i përket zërit të pastër, më i miri – ishte Luciano Pavarotti. E kam dëgjuar vetëm një herë, me mish e me shpirt, në një produksion të “La Forza del Destino”-s të Verdit, në Shtëpinë e Operës Mbretërore të Londrës. Ishte i kufizuar interesi i tij për veprimin skenik, por burimet e tij vokale u shteruan veç pak pas dekadave të tëra me C-të e larta, dhe unë e ndjeva magjinë.

Ajo që e kishte çuar Pavarottin në stratosferën e famshme ndërkombëtare ishte ngjarja festive në Kupën e Botës më 1990, te Banjat Karakaline në Romë: koncerti i famshëm i Tre Tenorëve ku e këndoi arien “Nessun Dorma” të Puccinit nga opera “Turandot”, me kulmin e B-së te fjala “vincero” – “Do të fitoj”.

Atëherë kam qenë këngëtar i ri që ia hapte vetes rrugët në botët në dukje më lehta të këngëve klasike dhe të operës së Mozartit, dhe isha më shumë se snob në gjithë këtë; snobizëm që pa dyshim buronte nga mbrojtja ndaj kapaciteteve të mia të vokalit, si dhe nga mbrojtja ndaj repertorit më të dobët që performoja dhe e doja. Sir Colin Davis në mënyrë aventureske më kërkoi një herë të këndoja “Rekuiemin” e Verdit, gjëja më e afërt që kam pasur ndonjëherë nga “armët e rënda” italiane, por e dija se nuk ishte për mua.

Por, dokumentari i Ron Howardit për Pavarottin më bëri të mendoj për atë që ne vërtet vlerësojmë te këndimi i shkëlqyer. Triumfalizmi, atletizmi i pastër i zërit klasik të tenorit që është i mirë, por duke parë Pavarottin duke kënduar “E lucevan le stelle” të Puccinit nga opera “Tosca”, në fund të karrierës së tij, të dirigjuar nga miku dhe shoku i tij, tenori Plácido Domingo, kuptova se nuk ishte vetëm një zë, jo thjesht një tenor, por ishte artist shprehës me dhunti të jashtëzakonshme. Dhembja e aries e nxjerr nga Pavarotti atë ndërveprim të mrekullueshëm midis përvojës personale të jetës dhe materialit artistik që është në qendër të asaj që bëjnë këngëtarët e mëdhenj. Këngëtarë të mëdhenj si Pavarotti, ose Billie Holiday, apo Bob Dylan.

Incizimi im i fundit është një koleksion i arieve të operës veneciane dhe napolitane të shekullit XVII, të shkruara në një epokë në të cilën tenori nuk ishte ylli i ndritshëm siç u bë gjatë shekujve XIX dhe XX. Në të vërtetë, fillimet e tenorit ishin modeste. Vetë termi vjen nga fjala latine “tenere” – “për të mbajtur” – dhe doli nga muzika e ansamblit vokal mesjetar në të cilën zëri më i lartë mashkullor jepte bazën sa i përket lartësisë dhe zanoreve të gjata. Asgjë magjepsëse. Por, nga fillimi i shekullit XVII, tenori na shfaqet si figurë vendimtare në zhvillimin e formës së re të operës. Opera më e hershme që ne ende interpretojmë si pjesë e repertorit është “Orfeo” nga Monteverdi, e shkruar në 1607 për oborrin e fisnikëve Gonzaga në Mantua, me rolin kryesor, si në titull, të luajtur nga një tenor. Siç e kishte thënë Giovanni Battista Dona më 1635, “tenori ka trup më të rregulluar dhe të organizuar në mënyrë më të përsosur”, diçka me të cilën të gjithë ne mund të pajtohemi.

Historia që tregohet zakonisht është se magjepsja e këngëtarit kastrato – një mezosopran ose soprano mashkull me fuqi dhe virtuozitet të jashtëzakonshëm – erdhi në vazhdën e shekullit XVII, për ta lënë tenorin në hije. Teksa ka një element të së vërtetës këtu, është e vërtetë se rolet e rëndësishme u shkruan për këngëtarë karizmatikë me zë tenori, në shekullin XVIII –  jo më pak triumvirati handelian i Francesco Borosinit, Annibale Pio Fabrit dhe John Beardit. Është gjithashtu e vërtetë që ariet e shkruara për zëra të lartë, për kastrato dhe për gra, shpesh u përcaktuan nga zërat më të ulët të meshkujve me të ashtuquajturën transpozim i oktavës. Handeli e bëri këtë, ashtu si shumë nga bashkëkohësit e tij, duke e përshtatur muzikën e tyre me zërat që kishte në dispozicion.

Incizimet e mia i përfshijnë të dyja këto lloje ariesh dhe ajo që më ka interesuar më shumë për to ka qenë mundësia që ofrojnë për një lloj të kënduari që është shumë larg nga epërsia e qartë e tenorit post-romantik dhe nga rolet për të cilat Pavarotti dhe Domingo ishin më të famshëm. Orkestrat për të cilat u shkruan këto arie ishin më të vogla, siç ishin edhe shumica e teatrove ku këndoheshin. Instrumentet ishin më pak të zhurmshme. Shkrimi vokal mund të ketë lulëzuar, por kurrë nuk fokusohet në virtuozitetin e plotë, qoftë sa i përket punës kalimit të shpejtë të veprës apo të notave të larta të kultivuara. Këtu është një mundësi për të kultivuar idealin e vendosur nga një prej kompozitorëve më të hershëm të operës, tenorit Jacopo Peri, për të cilin thuhej se “këndimi i tij do ta kishte përlotur çdo zemër prej guri”. Theksi është te zëri natyral, jo i mbiprojektuar, duke lëvizur brenda një shtrirjeje të moderuar të diapazonit të tij të të folurit dhe duke përdorur tingujt e zanoreve dhe bashkëtingëlloret për të krijuar ngjyra në të njëjtën mënyrë si këngëtarët e mëdhenj të xhazit – Billie Holiday për shembull.

Kam kaluar mjaft kohë në dy vitet e fundit duke punuar me kompozitorin dhe xhaz pianistin Brad Mehldau. Ai e shkroi një cikël këngësh, “The Folly of Desire”, me tekstet ndër të tjera nga Blake, Brecht, Yeats dhe Cummings, dhe me një busull stilistike nga klasikja delikate deri te një imitim i vrullshëm i grupit Supertramp (“me Wurlitzer – piano elektrike – siç lexohen udhëzimet që në fillim të këngës). Në recital do të performonim më pas “Dichterliebe”-n e Schumannit dhe një sërë xhaz-standardesh, si në një rast në Pragë ku kemi interpretuar pa ndërprerje nga “Nacht und Träume” e Schubertit deri te “Night and Day” e Cole Porterit.

Duke u kthyer në barok pas këtij ekskursioni, m’u kujtua i madhi William Christie, krijuesi i grupit francez të barokut Les Arts Florissants, që 25 vjet më parë më ka thënë – për çudinë time – se sa shumë xhaz ka në këtë muzikë. Tani e vërej se vokalistja ime e preferuar bashkëkohore e xhazit është Cécile McLorin Salvant, që është e stërvitur në barokun francez. Ndoshta barrierat artificiale po prishen? E, ndoshta këngëtarët klasikë nuk janë para së gjithash tenorë, soprano, baritonë, por thjeshtë janë këngëtarë të thjeshtë. /Telegrafi/