LAJMI I FUNDIT:

Pasuria milionëshe e Ramush Haradinajt – shtëpi, toka, banesa, vila e para të gatshme

Pasuria milionëshe e Ramush Haradinajt – shtëpi, toka, banesa, vila e para të gatshme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pasuri të majme të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Vetëm pronat e paluajtshme që i ka në pronësi të vetën, ose në bashkëpronësi, e kalojnë vlerën e 1 milion eurove.


Sipas asaj që ka deklaruar, Haradinaj ka shtëpi banimi prej 950 metra katrorë, e cila ka vlerë në ndërtim 300 mijë euro. Këtë shtëpi i pari i AAK-së ka thënë se e ka lëshuar me qera.

Tutje, Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët një shtëpi familjare – Kullë, prej 800 metra katrorë. Kjo shtëpi sipas tij, ka vlerë 270 mijë euro dhe është ndërtuar në përiudhën 2005-2007, me mjete të përfituara nga shitja e pronave të mëhershme.

Po ashtu, ai ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët edhe një tokë kodrinore, prej 200 hektarëve, që e ka blerë në privatizim në vitin 2009, në vlerë prej 75 mijë euro.

Një tokë – truall tjetër Haradinaj ka deklaruar se e ka në pronësi të veten e cila ka vlerë prej 27 mijë e 300 euro, në sipërfaqe prej 21.50 ari që e ka blerë në vitin 2005. Në lidhje me këtë, Haradinaj ka thënë se ka pasur transformim.

“Prona i është dhënë me kontratë për bashkëinvestim firmës ndërtimore ‘HCC’. Derisa të përfundojë projekti dhe dokumentacioni zyrtar, në periudhën e deklarimit mbetem pronar i pronës, kurse me kontratën e arritur në prill 2021, si bashkë-investitor, jam pronar i 37 për qind të m2 e hapësirave që do të ndërtohen”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka deklaruar se ka edhe një shtëpi tjetër banimi, të cilën ka thënë se e ka blerë me kredi. Sipas tij, shtëpia ka sipërfaqe prej 500 metra katrorë dhe ka vlerën e 202 mijë eurove.

Po ashtu, Haradinaj ka thënë se në pronësi të vetën ka një banesë në sipërfaqe 213 metra katrorë, që në ndërtim sipas tij e ka pasur vlerën 70 mijë euro, në gusht 2017. Këtë banesë Haradinaj ka thënë se e ka të paguar pjesërisht.

Ndërsa në pronësi të përbashkët, Haradinaj e ka të deklaruar edhe një villë prej 405 m2, në vlerë prej 120 mijë euro, që sipas tij, e ka blerë me mjete familjare.

Në total, vlera e pronave të paluajtshme të Haradinajt që i ka në pronësi të vetën dhe në bashkëpronësi, e kapin vlerën prej 1 milionë e 64 mijë e 300 euro.

Ramush Haradinaj ka deklaruar se në emër të bashkëshortes e ka një veturë që e ka vlerën prej 8 mijë euro, të blerë në vitin 2013.

Ish-kryeministri Haradinaj ka deklaruar se me bashkëshorten e tij kanë aksione në një firmë private, secili nga 50%. Emri i firmës është ‘HCC’.

Ndërsa në emër të bashkëshortes së tij, ka deklaruar se ajo ka aksione 100% në një kompani të quajtur “Mamo Sh.P.K”.

Sa i përket parave të gatshme, Haradinaj ka deklaruar se në pronësinë e tij ka 24 mijë e 327 euro e 73 cent, ndërsa në emrin e bashkëshortes 8 mijë e 931.

Në lidhje me detyrimet financiare, kreu i AAK-së ka deklaruar se ka një kredi prej 111 mijë e 850 eurove, në kohëzgjatje prej 180 muaj për përiudhën 2016-2031. Qëllimi i kësaj kredie, sipas deklarimit, është për blerjen e shtëpisë.

Haradinaj ka deklaruar se ka obligim tatimor – TVSH nga qeraja e shtëpisë, prej 720 euro në muaj, për 11 muaj të një viti kalendarik.

Ndërsa gjithashtu ka deklaruar se ka një detyrim financiar prej 20 mijë eurove, që për qëllim ka pasur banesën.

Sa i përket të hyrave, Ramush Haradinaj ka deklaruar se merr 3 mijë e 389 euro në muaj nga qeraja, si dhe një pension invalidor prej 225 eurove në muaj.

Ai merr pagë edhe si deputet i Kuvendit, që ka deklaruar se nga prilli deri në dhjetor 2021 ka marrë 14 mijë e 305 euro. Ndërsa nga Zyra e Kryeministrit, si ish kryeministër ka marrë pagë në periudhën janar – mars 2021, në shumën prej 2 mijë e 657 euro./Telegrafi/