LAJMI I FUNDIT:

Pasi u zgjuan nga kërcënimi i Putinit, Bideni dhe Perëndimi po bien sërish në gjumë

Pasi u zgjuan nga kërcënimi i Putinit, Bideni dhe Perëndimi po bien sërish në gjumë

Nga: Garry Kasparov / The Wall Street Journal
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Në fillim të këtij muaji, Presidenti Biden iu drejtua kombit. Në vend se ta bënte këtë prapa tavolinës presidenciale, shkoi te “Jimmy Kimmel Live!” Në intervistën 23-minutëshe, asnjëherë nuk u përmend lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Me çështjet e brendshme si inflacioni, dëgjimet e 6 janarit, aborti dhe kontrolli i armëve në agjendën e presidentit, lufta në Ukrainë mund të duket me më pak prioritet. Por, nuk është. Të sigurosh Ukrainën me gjithçka që i nevojitet për t’i luftuar rusët, kjo është gjëja e duhur – dhe popullore – për t’u bërë.

Megjithatë, z. Biden duket sikur më me dëshirë do që ta zhvendosë fajin sesa të veprojë. Gjatë fjalimeve në një mbledhje fondesh për demokratikët, dy ditë pas intervistës së Kimmelit, ai tha se Presidenti Volodymyr Zelensky “nuk donte ta dëgjonte” kur u paralajmërua për pushtimin e afërt të Rusisë. Ukrainasit e mohojnë këtë, por edhe nëse do të ishte e vërtetë, ç’të themi për injorimin paralajmërimeve nga vet ShBA-ja? Asnjë sanksion apo ndihmë nuk u vendos për ta penguar pushtimin e z. Putin. Z. Zelensky me siguri ishte skeptik se çdo mbështetje e ShBA-së planifikohej të vite pas fillimit të luftimeve.


Tashmë e dimë koston e lartë të këtij dështimi për të vepruar – masakrën, shkatërrimin dhe krimet e luftës në Ukrainë dhe krizat e ushqimit dhe të karburantit në mbarë botën. Në vend që të punonin për ta frenuar z. Putin në tetë vjetët e fundit, qëkur e pushtoi për herë të parë Ukrainën, në vend që të mbroheshin kundër shantazheve duke u bërë më pak të varur nga eksportet ruse, qeveritë amerikane dhe evropiane e zvarritën zgjidhjen e problemit.

Ata gjithashtu e mbajtën derën hapur për z. Putin, duke ia dhënë atij besimin tok me qindra miliarda dollarë që vinin nga nafta dhe nga gazi e që përdoren për ta armatosur makinerinë e tij të luftës. Z. Biden pati një samit dhe disa telefonata me z. Putin, dhe për çfarë? Z. Putin ka qëndruar në pushtet për 22 vjet duke injoruar atë që thonë liderët e dobët perëndimorë dhe duke parë se çfarë ata bëjnë. E njohu pasi inteligjenca amerikane parashikoi saktë pushtimin e tij të planifikuar prej kohësh, por nuk bëri asgjë për ta ndaluar atë. Bënte sehir me ofertën e parë të ndihmës së ShBA-së për Ukrainën, që ishte evakuimi i z. Zelensky, me supozimin se Kievi do të binte brenda disa orësh. Guximi dhe aftësia e ukrainasve vërtetuan se ky supozim ishte i gabuar.

Z. Biden mund të jetë politikisht i rrethuar, por z. Zelensky fjalë për fjalë është i rrethuar, meqë Ukraina po pëson humbje të mëdha në jetë në mbrojtjen e rajonit lindor të Donbasit. Mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës është duke e ndihmuar Ukrainën që ta rifitojë territorin dhe sovranitetin e saj dhe të shkatërrojë makinerinë luftarake të z. Putin. Çdo gjë më pak do ta lejonte Rusinë të konsolidohej dhe të riarmatosej, ndërkohë që ukrainasit vuajnë nën pushtim.

Z. Putin i bëri të qarta synimet e veta në një paraqitje televizive më 9 qershor, në ditëlindjen e Pjetrit të Madh. Ashtu si Pjetri, z. Putin tha se ka në plan të “rikthejë” tokat e humbura. Ndryshe nga Pjetri i cili e modernizoi Rusinë dhe e afroi me Evropën, z. Putin po e izolon Rusinë dhe po e çon atë në një epokë të errët. Teksa diktatorët zakonisht gënjejnë për gjithçka që bëjnë, ata shpeshherë janë të sinqertë për atë që do të donin të bënin. Z. Putin ka folur prej kohësh për rindërtimin e Perandorisë së tij të dashur Sovjetike. Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut, i mbajtur këtë javë, përfshinte edhe prezantimin e hartës së “ish-Ukrainës”, nga Kievi në Odesë. Kolonializmi nuk është shpikje e Evropës Perëndimore, pavarësisht nga ajo që duket se mendojnë disa progresistë.

Z. Biden dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë thonë se kanë frikë nga përshkallëzimi i situatës që sipas tyre është i garantuar nëse ndërmarrin veprime më të forta për ta mbështetur Ukrainën. Ukraina është vija e parë e frontit, por nëse z. Putin ka sukses, ai nuk do të ndalet me kaq. Do të bëhet i pashmangshëm konfrontimi i drejtpërdrejtë me forcat e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Nëse qëllimi është fitorja e Ukrainës, Shtëpia e Bardhë duhet ta thotë qartë këtë dhe gjithçka që i nevojitet Ukrainës duhet të dërgohet që tani.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, programi amerikan i huadhënies dërgoi miliona tonelata materiale për në Bashkimin Sovjetik. Refuzoj të besoj se është më e vështirë sot të futësh disa qindra obusë në Ukrainë, sesa të dërgosh kamionë dhe tanke pranë nëndetëseve naziste. Ukrainës po i mbaron gjithçka, madje edhe plumbat. ShBA-ja ka zgjidhje, por jo edhe vullnet.

Të mërkurën, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi një tjetër program të fuqishëm të ndihmës ushtarake për ukrainasit. Paketa përfshin disa prej armëve me rreze më të gjatë veprimi që dëshpërimisht i duhen Ukrainës. Kjo është në rregull, por nevojitet më shumë. Ndaloni së foluri për rezultatet e negociuara që z. Putin i japin vetëm kohë për të përgatitur sulmin e tij të ardhshëm. Të ndihmosh Ukrainën nuk është bamirësi. Demokracia nuk mund të mbrohet me çmim të lirë. Kostoja e lartë e inflacionit nuk do të jetë asgjë në krahasim me çmimin që Vladimir Putini do ta përcaktojë, nëse nuk ndalet që tani. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Si Izraeli përdori dronët për të ngatërruar mbrojtjen ajrore iraniane përpara se të

Si Izraeli përdori dronët për të ngatërruar mbrojtjen ajrore iraniane përpara se të "gjuante raketat supersonike Rampage" - një sulm preciz që heshti Teheranin

Azia
Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Lajme
Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Lajme
Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Drejtësi
Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Lajme
Kalo në kategori