LAJMI I FUNDIT:

Ikën nga lufta, i mbijetuan edhe tërmetit shkatërrues, por familja siriane me shtatë anëtarë vdiq nga një zjarr që përfshiu shtëpinë në Turqi

Ikën nga lufta, i mbijetuan edhe tërmetit shkatërrues, por familja siriane me shtatë anëtarë vdiq nga një zjarr që përfshiu shtëpinë në Turqi

Një familje siriane me shtatë anëtarë, duke përfshirë pesë fëmijë, vdiqën në një zjarr që përfshiu një shtëpi turke ku ata u zhvendosën pasi i mbijetuan tërmetit të javës së kaluar, raportuan mediat lokale.

Agjencia shtetërore e Turqisë, Anadolu, raportoi duke cituar një deklaratë me shkrim nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Konias se shtëpia njëkatëshe, në të cilën jetonin 14 persona, mori flakë të premten. Shtatë persona të lënduar në incident janë duke marrë trajtim, thuhej në deklaratë, transmeton Telegrafi.


Anadolu raportoi se familja ishte zhvendosur në rajonin qendror të Konia-s vetëm pak ditë më parë nga qyteti juglindor turk i Nurdagi-t në provincën Gaziantep, i cili u godit rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit.

“Në vendin e ngjarjes janë kryer hetimet e nevojshme dhe është caktuar një komision ekspertësh”, thuhet në deklaratë.

“E pamë zjarrin por nuk mundëm të ndërhynim. Një vajzë u shpëtua nga dritarja”, tha për Anadolu banori Muhsin Cakir.

Pesë fëmijët që vdiqën ishin të moshës nga katër deri në 13 vjeç, tha Anadolu. Turqia është shtëpia e afro katër milionë sirianëve.

Shumë prej tyre jetojnë në rajonet juglindore të shkatërruara nga fatkeqësia e javës së kaluar. Numri i të vdekurve nga tërmetet ka tejkaluar 43,000 në të gjithë Turqinë juglindore dhe Sirinë.

Gaziantep, një nga qytetet e mëdha të Turqisë jugore, ka një popullsi prej gati dy milionësh, dhe gati një e treta e tyre janë refugjatë sirianë që ikën nga lufta në vendin arab që filloi në vitin 2011. /Telegrafi/