Trainkos ka njoftuar se trenat me numër 760 dhe 4201 në relacionin Pejë-Prishtinë dhe anasjelltas janë anuluar për sot.

Njoftimi i kompanisë vjen në mëngjesin kur një grua humbi jetën pasi u godit nga një tren në Pejë.


Trainkos ka bërë të ditur se anulimi është bërë për shkak të “rrethanave të papritura”, pa dhënë detaje të tjera lidhur me arsyen.

“Të nderuar udhëtarë, Ju njoftojmë se treni i planifikuar për sot me numër 760 dhe 4201 Pejë-Prishtinë dhe anasjelltas është anuluar për shkak të rrethanave të papritura", thuhet në postimin e tyre.


"Ndërsa treni 4200 do të vazhdojë sipas orarit të planifikuar. Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj!”, thuhet më tej në njoftimin e Trainkos.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se rasti ka ndodhur rreth orës 05:35.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se treni, i cili ishte nisur nga qyteti i Pejës, e kishte goditur një grua, ndërsa mjeku kishte konstatuar vdekjen e saj në vendin e ngjarjes.

Rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes janë duke u hetuar nga njësitë kompetente policore dhe Prokuroria. /Telegrafi/