LAJMI I FUNDIT:

Pas tronditjes vdekjeprurëse, mbi 400 të vdekur, të mbijetuarit e tërmetit kalojnë natën jashtë (Video)

Pas tronditjes vdekjeprurëse, mbi 400 të vdekur, të mbijetuarit e tërmetit kalojnë natën jashtë (Video)

Mijëra iranianë kanë kaluar natën e dytë jashtë, në temperatura shumë të ftohta pas tërmetit shkatërrues që goditi perëndimin e vendit. Qeveria po përpiqet të ndihmoj zonën më të prekur në krahinën malore të Kermanshah, ku qindra shtëpi u shkatërruan.

Si pasojë e tërmetit më shumë se 400 vetë u vranë dhe rreth 7,000 u plagosën nga tërmeti që goditi afër kufirit Iran-Irak ditën e diel.


Irani e ka shpallur ditën e martë ditë kombëtare të zisë, ndërsa Presidenti Hassan Rouhani do të vizitojë rajonin.

Sipas zyrtarëve iranianë 413 njerëz kishin vdekur në vend. Në zonat më pak të populluara përtej kufirit në Irak, zyrtarët thanë se nëntë vetë kishin vdekur dhe disa qindra u plagosën.

Televizioni shtetëror iranian tha se mijëra të mbijetuar po kalonin një natë në kampe të improvizuara.

Edhe pse shumë nga shtëpitë ishin ende të paprekura, njerëzit ishin të frikësuar të ktheheshin për shkak të tronditje.

“Është një natë shumë e ftohtë … kemi nevojë për ndihmë, kemi nevojë për gjithçka, autoritetet duhet të shpejtojnë ndihmën e tyre”, tha një grua e pastrehë në Sarpol-e-Zahab, ku shumica e viktimave vdiqën.

Një agjenci ndihmash tha se 70,000 njerëz kishin nevojë për strehim, ndërsa OKB u shpreh se ishte “gati për të ndihmuar nëse kërkohet”.

Në orët e vona të së hënës, zyrtarët iranianë të emergjencës thanë se kërkimi për të mbijetuarit kishte përfunduar, dhe numri i viktimave ishte përfundimtar.