Pas pezullimit të linjave, transporti publik në Prishtinë ndryshon formën e protestës

Protesta e transportuesve publikë dhe privatë në Komunën e Prishtinës po vazhdon edhe sot, por me një format të ndryshuar.
Ndryshe nga e hëna, kur të gjitha linjat u pezulluan dhe punëtorët u mblodhën para objektit të Komunës dhe pastaj para Qeverisë për të kërkuar pagesat e mbetura, sot është organizuar një formë tjetër e shprehjes së pakënaqësisë.
Autobusët e “Trafikut Urban” dhe ata të kompanive private kanë defiluar nëpër disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe institucioneve.
Më pas, ata pritet të vendosen pranë objektit të Komunës së Prishtinës, ku do të vazhdojnë protestën derisa kërkesat e tyre të merren parasysh.
Protesta sot nuk është vetëm për pagat e munguar, por është thellësisht e lidhur me krizën financiare të Trafikut Urban.
Nga kjo kompani kanë deklarur se edhe pse janë alokuar 680 mijë euro, kjo shumë nuk mjafton për operim normal, dhe mungesa e fondeve tjera nga Komuna paralizon rifillimin e punës. /Telegrafi/

















































