Ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë Fidesz ndërsa asambleja e partisë në qershor do të vendosë nëse do ta pranojë atë, ka deklaruar një deputet i partisë për mediat lokale.

Partia e qendrës së djathtë Tisza, e udhëhequr nga Peter Magyar, e ka mposhtur Orbanin në zgjedhjet e 12 prillit, duke i dhënë fund sundimit të tij 16-vjeçar dhe duke nxitur thirrje për ndryshime brenda Fideszit.


Kjo e fundit do të votojë për udhëheqjen e re në kongresin e partisë më 13 qershor, ka thënë deputeti Erik Banki, i cituar nga agjencia shtetërore MTI. Fidesz nuk ka reaguar ndaj kërkesës për koment.

Orban nuk ka folur me mediat pas mbledhjes së partisë të martën dhe nuk ka shkruar në rrjetet sociale, shkruan reuters.

Pas zgjedhjeve, Orban ka thënë për kanalin e djathtë Patriota në YouTube më 16 prill se si kryetar i Fideszit merr “përgjegjësinë e plotë” për humbjen e partisë dhe se e djathta hungareze ka nevojë për një “rinovim të plotë”.

Të shtunën, në një video të publikuar në Facebook, ai tha se nuk do të marrë vendin në parlament, por mandatin do t’ia “kthejë” Fideszit.

“Aktualisht nuk jam i nevojshëm në parlament, por në riorganizimin e së djathtës”, tha Orban, një aleat i afërt i presidentit amerikan Donald Trump, i cili është mbështetur para zgjedhjeve nga udhëheqës të partive të ekstremit të djathtë në Evropë. /Telegrafi/