LAJMI I FUNDIT:

Pas anulimit të vendimit të ZRRE-së për rrymën, KMDLNJ kërkon kompensim për qytetarët e dëmtuar

Pas anulimit të vendimit të ZRRE-së për rrymën, KMDLNJ kërkon kompensim për qytetarët e dëmtuar

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përshëndet vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila anuloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që ua paguante rrymën katër komunave në veri të Kosovës gjatë viteve 2012-2017.

Me anë të një njoftimi për medie, KMDLNJ bën të ditur se vendimi edhe për kompensim të konsumatorëve të dëmtuar është vetëm hap i parë drejt përligjjes së kësaj të drejte.


“Tash, mbetet që Gjykata e Apelit dhe Supreme të vërtetojnë këtë vendim. Deri atëherë KMDLNJ shpreson se nuk do të ketë ndërhyrje politike në vendimmarrje, aq më parë që vet vendimi për kompensim të padrejtë të katër komunave të Veriut të Kosovës ka qenë dhe mbetet një vendim politik”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Lidhur me këtë, KMDLNJ kërkon përgjegjësi ligjore për ZRRE-në.

“KMDLNJ gjithmonë ka denoncuar fryrjen e faturave të energjisë për konsumatorët e rregullt që e ka cilësuar si vendim diskriminues, pjesërisht edhe racist dhe shkelje e drejtave të njeriut, që e cenon barazinë e të gjithë qytetarëve të garantuar dhe me Kushtetutën e Kosovës. Faturimi diskriminues për rrymën e shpenzuar përbën të gjitha elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare përmes falsifikimit të dokumenteve (faturave) dhe paraqitjes së pavërtetë të gjendjes. KMDLNJ e pret që kur të merret vendimi përfundimtar atëherë do të adresohet edhe përgjegjësia penale e shpërdoruesve të pozitës zyrtare”, përfundon reagimi.

Themelorja anulon vendimin e ZRRE-së për pagimin e rrymës të katër komunave veriore, kthehen mbi 40 milionë euro
Lexo po ashtu Themelorja anulon vendimin e ZRRE-së për pagimin e rrymës të katër komunave veriore, kthehen mbi 40 milionë euro

Të hënën, Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar vendimin e ZRRE-së që t’iu paguhet rryma qytetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për periudhën 2012-2017. Ky vendim është anuluar pas ankesës së Avokatit të Popullit të Kosovës.

Gjykata Themelore njofton se e ka detyruar Kompaninë për Shpërndarjen së Energjisë Elektrike (KEDS) që të bëjë kthimin e mbi 40 milionë eurove, për t’iu kompensuar dëmin konsumatorëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në veri.

Qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës janë faturuar me vite për rrymën e shpenzuar në veri, ndërsa nga viti 2017, borxhet e asaj pjese janë paguar nga buxheti i Kosovës.

Rreth 8 milionë euro në vit llogaritet të jetë borxhi që banorët e këtyre komunave nuk e paguajnë. /Telegrafi/