LAJMI I FUNDIT:

Parqet e kryeqytetit pa ndriçim dhe kamera të sigurisë

Parqet e kryeqytetit pa ndriçim dhe kamera të sigurisë

Ngjarja e rëndë që tronditi jo vetëm Kosovën, ku një 11-vjeçare u përdhunua nga pesë persona, në një park të kryeqytetit ka bërë që qytetarët të ndihen të pasigurt për fëmijët e tyre. Komuna e Prishtinës është duke pritur që me datën 15 shtator të fillojnë hapjen e ofertave për sistemin e kamerave në kryeqytet.

Është një prej parqeve më të mëdha në Prishtinë por parku në lagjen “Arbëria” nuk ka as ndriçim e aq më pak kamera të sigurisë.

E këtë problem po duket se e kanë te gjitha parqet në kryeqytet.

Kjo ka bërë që qytetarët të jenë të pasigurt për të kaluar në orët e pasdites në parqe shkaku edhe i frekuentimit të tyre nga njerëz të ndryshëm problematik.

Qytetari Nazmi Vuçiterna i merakosur për gjendjen thotë se duhet të shtohet përkujdesja ndaj fëmijëve.

“Ndoshta duhet me pas një kujdes më të shtuar edhe prej familjarëve edhe jashtë shkollës jashtë kohës te punës të kemi kujdes më të shtuar në përgjithësi për fëmijët pra kujdes fëmijëve”, tha qytetari Nazmi Vuçiterna.

Por, rasti i fundit i raportimit se një fëmijë 11 vjeçar u përdhunua në park të qytetit, ka bërë që Komuna e Prishtinës të mobilizohet për të shtuar sigurinë në hapësirat publike.

Kjo për RTV Dukagjini është konfirmuar nga Drejtori për Shërbime Publike Ilirik Musliu, derisa ai jep detaje për planet e Komunës së Prishtinës në këtë drejtim.

Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë tha: Në kohë rekord kemi arritur një kontratë të ndriçimit publik ku kjo kontratë parasheh shtatë llote, katër prej lloteve kanë të bëjë me pjesën urbane, dy prej tyre janë zona rurale dhe një llot ka të bëjë me parkingjet parqet dhe këndet e lojërave.

“Sa i përket kamerave ne presim deri me datën 15 shtatorit me u bo hapja e ofertave për kamera ku me pjesën e kamerave kemi bashkëpunu ngushtë me Policinë e Kosovës ….pjesën e implementimit jemi zotu ne bashke me kryetarin që pjesa e parë përfshinë nyjat në komunikacion, hapësirat publike dhe tunelet”, tha Musliu.

Kurse, Policia e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje pos një përgjigje të përgjithësuar, duke thënë se realizon patrullime në gjithë vendin në funksion të parandalimit të këtyre veprave penale.

Policia e Kosovës, në vazhdimësi përmes planifikimeve të saj operacionale realizon patrullime në gjithë vendin ne funksion te parandalimit dhe luftimit te veprave penale dhe te gjitha dukurive negative që mund te shfaqen, si dhe ndërmerr veprime ligjore konform ligjeve në fuqi. Po ashtu, secilit rast të raportuar në polici, zyrtaret policor i përgjigjen për trajtim dhe hetim sa më me efikasitet dhe efektivitet.

Rasti i fundit i përdhunimit të një vajze 11 vjeçare në Prishtinë pos protestave, ka ngritur edhe shumë pyetje e kërkesa nga qytetarët përfshirë sigurinë në parqe e rrugë. /Dukagjini/