Parma ka njoftuar zyrtarisht largimin e Cristian Chivu, gati kalimi te gjiganti italian

Parma ka njoftuar zyrtarisht se ka arritur një marrëveshje me trajnerin, Cristian Chivu (44), për ndërprerjen e ndërsjellë të kontratës.
Chivu kaloi më pak se katër muaj në krye të ekipit italian, ku arriti objektivin kryesor të sezonit: mbajtjen e Parmës në Serie A.
“Klubi falënderon Chivu-n për qëllimin sportiv të arritur,” thuhet në deklaratën e Parmës.
Ndërsa aventura e tij me Parmën përfundoi, e ardhmja e teknikut rumun duket e lidhur fort me Interin, ish-klubin e tij ku luajti për shtatë vite dhe ku filloi karrierën si trajner.
Sipas mediave italiane, kanë mbetur vetëm disa formalitete për të zyrtarizuar rikthimin e Chivut te Interi, ku pritet të zëvendësojë Simone Inzaghin dhe të marrë drejtimin e një ekipi që përfundoi sezonin si nënkampion i Italisë dhe i Evropës.
Chivu e nisi karrierën e tij si trajner pikërisht te Interi, duke drejtuar ekipet e moshave nga viti 2018 deri në 2024, para se të kalonte për herë të parë te Parma. /Telegrafi/




















































