LAJMI I FUNDIT:

Avokati serb: Vuçiq zgjodhi Vuçeviqin për kryeministër në koordinim me Moskën – synohet përshkallëzimi i Ballkanit

Avokati serb: Vuçiq zgjodhi Vuçeviqin për kryeministër në koordinim me Moskën – synohet përshkallëzimi i Ballkanit

Ish-ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili është gjithashtu udhëheqësi i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, është mandatuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të formuar Qeverinë e re të vendit.

Avokati dhe analisti politik serb, Çedomir Stojkoviq, ka thënë se emërimi i Vuçeviqit si kryeministër është veprim i qëllimshëm që korrespondon me përvojën e tij ushtarake dhe planin e presidentit Vuçiq për përshkallëzimin e situatës në rajon.


Stojkoviq thekson se ky veprim është bërë në koordinim të ngushtë me Moskën.

Në një postim në platformën X, Stojkoviq paralajmëron se Serbia do të fokusohet në përshkallëzimin e situatës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai përmend deklaratat e bëra nga kryeministri i sapoemëruar në dhjetor 2023, ku pretendohet se Republika Srpska, Mali i Zi, dhe Serbia do të jenë “një shtëpi” dhe se do të punohet vazhdimisht në këtë drejtim.

Stojkoviq vë gjithashtu në dukje që qasja e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, duke sugjeruar se Vuçiq dhe Vuçeviq do të vazhdojnë të ndjekin politikat për militarizimin e veriut të Kosovës, duke sfiduar sigurinë e qeverisë së Kosovës dhe duke e konsideruar Kosovën si pjesë të pandashme të Serbisë.

Ai sugjeron se do të rritet tensioni si rezultat i veprimeve të Serbisë, të cilat sipas tij do të krijojnë përshkallëzime sepse vendi është nën “pushtimin hibrid” të Rusisë.

Më tej, ai parashikon izolimin e mëtejshëm të Serbisë në skenën ndërkombëtare si rezultat i këtyre politikave.

Ministri serb i Mbrojtjes përmend “futjen e ushtrisë serbe në Kosovë” – por e din se paraprakisht duhet marrë leje
Lexo po ashtu Ministri serb i Mbrojtjes përmend “futjen e ushtrisë serbe në Kosovë” – por e din se paraprakisht duhet marrë leje

Stojkoviq beson se kjo lloj izolimi nuk do të jetë si ai i viteve ’90, por do të manifestohet si një izolim informal që mund të ketë pasoja serioze për vendin, duke përfshirë izolimin diplomatik dhe mungesën e dëshirës për bashkëpunim nga aktorë ndërkombëtarë, duke e kthyer Serbinë në një “getto.”

Vuçeviq ishte zgjedhur në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë dhe ministrit të Mbrojtjes në tetor të vitit 2022.

Para kësaj, ai kishte shërbyer si kryetar i Novi Sadit nga shtatori i vitit 2012 deri në tetor të vitit 2022.

Ai u zgjodh kryetar i SNS-së në maj të vitit 2023, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u largua nga udhëheqja e partisë./Telegrafi/