Paralajmërim nga Britania: Varësia te AI mund t’i bëjë njerëzit më pak inteligjentë

Rritja e mjeteve të Al që u përgjigjen menjëherë pyetjeve dhe problemeve komplekse mund t’i bëjë njerëzit më pak inteligjentë, ka paralajmëruar Observatori Mbretëror i Greenwich.
Observatori, një nga institucionet shkencore më të vjetra të ndërtuara posaçërisht në Mbretërinë e Bashkuar, është i njohur për kontributet e tij në astronomi.
Paddy Rodgers, drejtor i grupit të Muzeumeve Mbretërore të Greenwich që e mbikëqyr atë, tha se historia e pasur e kërkimit tregoi fuqinë e njohurisë dhe kuriozitetit njerëzor - dhe nevojën për të shmangur "varësinë e plotë" nga Al.
"Mbështetja vetëm te përgjigjet e menjëhershme rrezikon humbjen e zakoneve të të pyeturit dhe vlerësimit që mbështesin njohuritë, ekspertizën dhe inovacionin", tha ai.
Produktet gjeneruese të Al që mund t'u përgjigjen kërkesave gjithnjë e më komplekse me tekst, imazhe, video ose audio vazhdojnë të zhvillohen me ritëm të shpejtë.
Chatbot-et kanë evoluar nga asistentë të thjeshtë në shoqërues bisede, gjeneratorët e imazheve janë bërë jashtëzakonisht të mirë në krijimin e përmbajtjes fotorealiste dhe modelet e reja të përparuara thuhet se po nxjerrin në pah gabime softuerësh dekada të vjetra.
Por, përparime të tilla shoqërohen ende edhe me paralajmërime për përdoruesit për kufizimet e teknologjisë dhe rreziqet e mbështetjes në të. /Telegrafi/















































