LAJMI I FUNDIT:

Papunësia në Britani të Madhe në nivelin më të ulët në pesë dekada

Papunësia në Britani të Madhe në nivelin më të ulët në pesë dekada

Tregu i punës në Britani të Madhe, i cili ka qenë i prekur nga pandemia COVID-16, mund të filloj të rikuperohet.

Kështu paralajmërojnë ekspertët duke shtuar se rritja e nivelit të pagave nuk po arrin të përballojë rritjen e kostove të jetesës, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Papunësia ra në 3.6 për qind deri në muajin korrik – më e ulëta që nga viti 1974 – shkalla e punësimit dhe numri i vendeve të lira ranë gjithashtu.

“Shtimi i vendeve të punës që filloi gjashtë muaj pas pandemisë ndoshta po i vjen fundi tani. Ka ende një numër shumë të madh vendesh të lira dhe njerëzit ende reklamojnë shumë vende pune, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi parë që papunësia do të vazhdojë të ulët”, tha shefi i kompanisë Reed, James Reed.

Një arsye për rënien e shkallës së papunësisë është rritja e numrit të njerëzve që nuk janë më në kërkim të punës dhe kështu nuk llogariten në figurë.

Shkalla e pasivitetit u rrit në 21.7 për qind, tha Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), që është më e larta që nga viti 2017.

Inflacioni – një masë e rritjes së çmimeve – mbetet në nivelin më të lartë të 40 viteve, pra në 10.1 për qind. Hendeku i vazhdueshëm midis rritjes së pagave të sektorit privat dhe atij publik ishte gjithashtu i dukshëm nga shifrat e ONS.

Rritja mesatare e rregullt e pagave për sektorin privat ishte 6 për qind në maj-korrik, krahasuar me 2 për qind për sektorin publik. Sipas ONS, ky është ndryshimi më i madh ndonjëherë midis sektorit privat dhe atij publik, jashtë kulmit të periudhës së pandemisë.

Pavarësisht se shkalla e papunësisë ra në shkallën më të ulët në 48 vjet, masa të tjera sugjeruan se tregu i punës mund të fillojë të kthehet.

Numri i vendeve të lira të punës ra më së shumti në dy vjet, duke rënë me 34 mijë midis qershorit dhe gushtit, megjithëse numri i përgjithshëm i vendeve të lira të punës mbetet historikisht i lartë.

Norma e punësimit gjithashtu ka rënë në 75.4 për qind, një rënie e vogël nga tremujori i mëparshëm. /Telegrafi/