LAJMI I FUNDIT:

Panxha: Pavarësisht vështirësive të paraqitura nga COVID-19, prodhimtaria vendore po vazhdon

Panxha: Pavarësisht vështirësive të paraqitura nga COVID-19, prodhimtaria vendore po vazhdon

Drejtori i ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha ka thënë se, pavarësisht vështirësive të paraqitura në këtë periudhë të pandemisë të shkaktuar nga COVID-19 prodhimi në vend po vazhdon.

Panxha në emisionin “Zyra e Ankesave” të RTV Dukagjinit ka shtuar se Pakoja Emergjente Fiskale e miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës nuk është e mjaftueshme.


“Për momentin sektori i prodhimit është duke kaluar një periudhë të rëndë. Deri sa javët e para ku shumë fabrika e kanë ulur kapacitetin minimal vetëm sa mos t’i dërgojnë punëtorët nëpër shtëpia. Në përgjithësi sektori i prodhimit është duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë”, tha Panxha, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se zbatimi i Pakos Emergjente Fiskale po shkon shumë ngadalë.

“E përshëndesim miratimin e Pakos Emergjente Fiskale nga ana e Ministrisë së Financave, por kjo nuk mjafton. Deri sa jemi në javën e dytë të prillit, zbatimi i saj po shkon shumë ngadalë”, tha ai.

Lidhur me heqjen e tarifës 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake, Panxha shprehet se është herët që të vërehet efekti i saj.

“Është herët të flitet për ndikimin e heqjes së tarifës 100 për qind. Prodhuesit vendor kanë vazhduar të blejnë lëndën e parë nga Serbia. Deri tash vëllimi i importit është ende i vogël dhe për këtë duhet të presim në ditët në vijim. Deri sa më herët importet nga Serbia kanë qenë 1 milion euro në ditë, tani brenda 9 ditëve kur është hequr tarifa kjo vlerë është 1.6 milion euro”, shtoi Panxha.

Në fund, ai tha se ka mjaftueshëm produkte në treg dhe se nuk duhet të ketë panik.

“Ka produkte të mjaftueshme në treg dhe për këtë nuk duhet të ketë panik. Është bërë një perceptim i gabuar, se ka mungesë të tyre, por në fakt është ra aftësia blerëse” përfundoi Panxha. /Telegrafi/