LAJMI I FUNDIT:

Pantina: Do ta mbështesim pakon e projektligjeve për administratë publike, por me ndryshime

Pantina: Do ta mbështesim pakon e projektligjeve për administratë publike, por me ndryshime

Partia Social Demokrate (PSD) do ta mbështesë pakon e projektligjeve për administratë publike duke kërkuar që të ndryshohet shtojca një e projektligjit për paga, pasi i duhet dhënë përparësi sistemit të shëndetësisë dhe arsimit.

Kështu tha në një konferencë për media deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ku tha se kjo pako e Projektligjeve për administratë publike është e vonuar.


Sipas saj, ligji më problematik në këtë pako është ai për paga, i cili ka zgjuar interes të madh tek nëpunësit e administratës publike.

“Duam të shpalosim qëndrimet e PSD-së, sa i përket reformës në administratë publike, në theks të veçantë ligjin për paga në sektorin publik. Kjo pako është e vonuar, megjithatë si e tillë nuk garanton se do të kemi një reformë të tillë të administratës publike, e cila do të siguronte qëndrueshmëri tek institucionet publike por, në të njëjtën kohë do të ofronte edhe shërbime cilësore për qytetarët. Por ligji më problematik në këtë pako është ai për paga, i cili ka zgjuar interes të madh sidomos tek nëpunësit e sektorit publik”, ka thënë Pantina, raporton Telegrafi.

Ajo tha se me këtë ligj shteti më shumë është kujdesur që t’i forcoj sektorët që janë në shërbim të tyre se sa të forcojë sektorët në shërbim të qytetarëve, siç janë sektori i shëndetësisë dhe i arsimit.

“Një çështje e tillë ndikon që shteti çdo herë të jetë i varur nga politika e jo të jetë i ndërtuar mbi shtylla profesionale. Ligji krijon një disproporcion shumë të madhe më pagën e lartë dhe atë të ultë. Qëndrimi ynë është që nuk duhet të ketë koeficient më të madh se 10. Pabarazi ekzistojnë në çdo sektorë edhe në atë të drejtësisë. Prokurori paguhet më shumë se një gjyqtar. Ndonëse do e mbështesim pakon e projektligjeve për administratë publike duhet të ndryshohet rrënjësisht shtojca 1 e projektligjit për paga, duhet t’i jap përparësi sistemit të shëndetësisë dhe arsimit”, ka thënë ndër të tjera Pantina. /Telegrafi/