LAJMI I FUNDIT:

Pamje të tmerrshme të disa burgjeve në Maqedoni (Foto)

Pamje të tmerrshme të disa burgjeve në Maqedoni (Foto)

Se kushtet në burgjet e Maqedonisë vazhdojnë të jenë alarmante këtë më së miri e dëshmon vdekja e tre të burgosurve në Idrizovë për një kohë të shkurtër. Burgjet në Maqedoni nuk i kanë as edhe kushtet minimale, edhe nëse i kanë, kushtet e tyre janë në gjendje të mjerueshme. Burime për Telegrafi Maqedoni dhe disa të burgosur kërkuan të ruhet anonimiteti i tyre. Ata kanë dërguar fotografi që të reflektojnë në opinion se në çfarë kushte mizore jetojnë të burgosurit.

I burgosuri nga burgu i Idrizovës për Telegrafi Maqedoni thotë se kushtet janë katastrofale dhe sidomos tani në temperatura të ulëta mezi jemi ngrohur.


”Kushtet ku të burgosurit shqiptarë janë në këto burgje të këtij shteti të fëlliqur janë shumë të këqija. Ne si të burgosur shqiptarë nuk kemi as kushte për mjekim. Ilaçet dhe ushqimet na sjellin familjarët. Kemi kushte mizore, nënpunësit janë të korruptuar dhe kërkojnë ushqime nga ne. Tani në temperatura të ulëta nuk ka as nxemje. Nevojtoret nuk janë riparuar dhe frikësohem se mos infektohem nga papastërtia e madhe. Nuk e di çfarë të them, nuk bëhet më keq”, kështu ankohet i burgosuri në burgun e Idrizovës që kërkoi të mbetet anonim.

Fotografitë në vijim janë tregues i qartë për atë që flet i burgosuri në burgun e Idrizovës. Muret janë të mbështjellura me batanije për shkak se fryn ftohtë në çdo anë dhe me qëllimin që dhoma ku qëndrojnë të bëhet me e ngrohët.

Nevojtoret duken aq të frikshme sa që i burgosuri thotë se është e mundshme çdo gjë të del nga aty, gjarpër apo diçka tjetër. Muret duken të prishura dhe të mykura dhe kjo ndikon në sëmundjet e frymëmarrjes. Pjesa ku pastrohen duart është e papastër dhe mund të kuptohet sesi arrinë t’i pastrojnë duart te vendi i papastër dhe i burgosuri thotë se ka raste edhe kur janë infektuar.

Edhe pse Maqedonia pa ndërprerë kritikohet për kushtet e këqija për burgjet, deri më tani nuk është riparuar asgjë. Burimi për Telegrafi Maqedoni për kushtet në burgun e Tetovës thotë se, më së miri këtë e vërteton biblioteka e vogël e cila ekziston prej moti kohë dhe se librat për komunizimin ndoshta janë tregues i mirë se ndoshta kushtet prej atëherë nuk janë përmirësuar.

Fotografia në vijim tregon vendin se ku pastrohen të burgosurit e Tetovës. Një i burgosur për Telegrafi Maqedoni thotë se më keq e kemi kur është dimër dhe ftohtë kur duhet të pastrohemi dhe ashtu nga ai vend duhet të ecim jashtë deri në ambient më të ngrohët.

Shoqëria civile në Maqedoni, Avokati i Popullit dhe OJQ-të për respektimin e të drejtave të njeriut disa herë kanë alarmuar për gjendjen e kushteve nëpër burgje. Para dy viteve të burgosurit në Maqedoni realizuan një grevë urive për kushtet e këqija në burgje por nuk rezultoi me ndonjë iniciativë konkrete nga ana e shtetit për përmirësimin e kushteve në vendet ku ata vuajnë dënimin. /Telegrafi/