Palmer thotë se nuk e merituan humbjen nga Bayerni: Golat i pranuam me gabimet tona

Mesfushori ofensiv i Chelseat, Cole Palmer, reagoi pas humbjes 1–3 në udhëtim kundër Bayern Munichut në ndeshjen e parë të fazës së ligës të Ligës së Kampionëve.
Palmer ishte autor i golit të vetëm të londinezëve dhe një nga lojtarët më të rrezikshëm të skuadrës, por pranoi se gabimet individuale e dënuan Chelsean.
“Mendoj se luajtëm mirë. Treguam se e meritonim të ishim këtu. Tre golat që pësuam ishin faji ynë".
"Patëm rastet tona, por humbëm disa mundësi. Ata kanë një ekip të fortë, por mendoj se meritonim më shumë sesa morëm", tha Palmer.

Sipas Palmer, ky është vetëm fillimi i garës dhe ekipi do të rritet me kalimin e javëve. Ai beson se performanca ndaj gjermanëve tregoi potencialin e vërtetë të Chelseat.
Në ndeshjen e ardhshme të grupit, Chelsea do të presë Benficën në “Stamford Bridge”. /Telegrafi/














































