LAJMI I FUNDIT:

Paga të dyfishta e kontrata fiktive: Ku shkoi buxheti i Kosovës për komunat serbe?

Paga të dyfishta e kontrata fiktive: Ku shkoi buxheti i Kosovës për komunat serbe?
Foto: Arkiv

Dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë kanë pranuar, ndër vite, fonde nga buxheti i Kosovës për paga të punëtorëve në sistemin arsimor dhe shëndetësor.

Megjithatë, këta dy sektorë në këto komuna punojnë kryesisht nën sistemin e Serbisë dhe pranojnë paga edhe nga buxheti i këtij vendi.

REL-i ka gjetur se, në disa raste, buxheti i Kosovës i ndarë për ta, është shpenzuar në forma të dyshimta.


V.J., qytetar serb i komunës së Leposaviqit – pjesa veriore e Kosovës – ka pranuar dy paga si punëtor i një shkolle në këtë komunë për së paku dhjetë vjet, deri në vitin 2018.

Në dhjetë komuna të Kosovës, që banohen në shumicë nga serbët, përfshirë Leposaviqin, sistemi arsimor punon sipas planprogramit të Serbisë dhe pranon fonde drejtpërdrejt nga buxheti i Serbisë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, V.J. – identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë – tregon se në vitin 2017 ka marrë një kontratë me kohë të pacaktuar nga komuna, sipas ligjeve të Kosovës, edhe pse ka pasur një kontratë aktive me sistemin serb.

“Edhe para asaj kontrate, kemi marrë para [paga nga buxheti i Kosovës]… Atëherë kemi marrë para pa asnjë kontratë. Të gjithë punëtorët [në sistemin serb] kanë marrë para pa kontratë dhe pastaj i kemi marrë kontratat [nga Kosova]”, thotë V.J.

Në shkurt të vitit 2018, shton ai, pushteti i ri lokal në Lepsoaviq, i kryesuar atëkohë nga Zoran Todiq i Listës Serbe, ua ka ndaluar të ardhurat nga buxheti i Kosovës, pa ndonjë arsyetim, sipas tij.

Në institucionet serbe të arsimit në Kosovë, të cilat funksionojnë që nga paslufta më 1999, punëtorët, përveç pagës bazë, marrin edhe një shtesë nga shteti serb – që nënkupton se të ardhurat e tyre sillen nga 900 deri në 1.300 euro në muaj.

Paga e mësimdhënësve në sistemin e Kosovës, ndërkaq, është nga 580 deri mbi 600 euro.
V.J. thotë se nuk ka marrë kurrë ndonjë vendim për ndërprerje të kontratës me sistemin e Kosovës.

“Ajo pagë [nga buxheti i Kosovës] u është shpërndarë më pas disa njerëzve të partisë [Lista Serbe], që nuk kanë punuar kurrë, por i kanë marrë rrogat”, thotë V.J., pa specifikuar se kush saktësisht paguhet me atë pagë.

REL nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Por, për këtë çështje, V.J. thotë se ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në fund të vitit 2020.

Sipas dokumenteve që ka siguruar REL-i, përmes kësaj padie ai ka kërkuar rikthim retroaktiv të pagave, që kapin vlerën e rreth 11 mijë eurove deri në kohën e padisë.

Sipas avokatit mbrojtës të V.J., padia e tij nuk është shqyrtuar ende në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Leposaviq – siç duket për shkak të mungesë së stafit.

Punonjësit serbë të institucioneve të Kosovës në veri, përfshirë gjykatat, kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe me targa të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë ish-kryetarin e Leposaviqit, Zoran Todiq, në lidhje me ndërprerjen e pagesave për punonjësit e arsimit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.

Todiq, i cili po ashtu ka dhënë dorëheqje në vitin 2022, është edhe kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Leposaviqit, i cili punon nën sistemin serb.

Deri në dorëheqje, ai ka marrë dy paga, një nga buxheti i Kosovës dhe një nga Serbia.

Numri i saktë i punëtorëve arsimorë në Leposaviq nuk është publik.

As në publikimet vjetore të statistikave të arsimit, Ministria e Arsimit e Kosovës thotë se nuk i ka të dhënat statistikore për arsimin e komunitetit serb në Kosovë.

Megjithatë Kosova, çdo vit, ndan buxhet për të 38 komunat e Kosovës, përfshirë për paga dhe shtesa në arsim dhe shëndetësi.

Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjen nëse e di apo ka monitoruar se si shpenzohet ky buxhet.

Dy sisteme në dy vitrina

As Komuna e Leposaviqit, që tani udhëhiqet nga kryetari shqiptar, Lulzim Hetemi, nuk ka mundur të japë përgjigje se në çfarë mënyre shpenzohet ky buxhet.

Në një vizitë që REL-i bëri në këtë komunë më 15 shkurt, pa se në një zyrë të vogël të objektit disakatësh të komunës, ishin renditur dhjetëra dokumente komunale, të ndara në dy vitrina.

Njëra nga vitrinat mbante dokumente të komunës që punonte me ligjet e Kosovës, e tjetra dokumente nga komuna paralele që kontrollohet nga Serbia.

Të dyja këto institucione, para vitit 2022, punonin nga i njëjti objekt.

Hetemi tha se nuk ka informacione se si mund të jetë harxhuar buxheti paraprak i komunës.

“Ato [para] nuk e dimë se ku kanë shkuar, sepse nuk kemi qenë kompetentë për t’i shikuar dokumentet. Menjëherë e kam bërë një thirrje që të vijë [policia] e krimeve ekonomike. Që dy muaj e gjysmë janë duke hetuar… janë duke shfletuar dokumentacionin se ku dhe nga kanë shkuar këto para”, tha Hetemi për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës konfirmoi për REL-in se ka nisur hetime “rreth keqpërdorimeve në Komunën e Leposaviqit” dhe se është në fazën e mbledhjes së dëshmive.

“Janë sekuestruar disa dosje”, tha policia.

Komuna konfirmoi se, aktualisht, janë rreth dhjetë persona të punësuar në sistemin arsimor në komunë, nga komuniteti shqiptar, që paguhen nga buxheti i saj.

Hetemi tha se po bëhen përpjekje që stafi i shkollave në gjuhën serbe, të integrohet në institucionet komunale të Kosovës.

“Nëse ata nuk hyjnë në sistemin tonë të komunës, ne ato para [për paga dhe mëditje] do t’i shfrytëzojmë në mënyra të ndryshme. Për shembull, përmes asamblesë, do t’i përdorim diku tjetër”, tha ai.

Situata në komunat e tjera

Pjesa më e madhe e komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si shpenzohet buxheti për paga dhe shtesa në sistemin arsimor dhe nëse punëtorët në këtë sistem kanë paga të dyfishta.

Një ndër komunat e vetme që u përgjigj, ajo e Novobërdës, konfirmoi se në këtë komunë janë të punësuar 219 punëtorë të arsimit – 140 që punojnë në shkollat në gjuhën serbe dhe 79 në shkollat shqip.

Sipas saj, të gjithë këta punëtorë marrin paga nga buxheti i Kosovës.

Komuna tha se nuk ka informacione nëse punëtorët në shkollat me planprogram serb, marrin paga edhe nga buxheti i Serbisë.

Por, burime të Radios Evropa e Lirë kanë treguar se në një komunë tjetër me shumicë serbe, në jug të Lumit Ibër, persona që kanë marrë kontrata mësimdhënësish, ushtrojnë në fakt pozita të tjera brenda komunës.

Në Komunën e Graçanicës, ndonëse shkollat punojnë në sistemin serb, së voni janë hapur konkurse për punëtorë arsimorë në sistemin e Kosovës.

Një nga konkurset e fundit ishte në tetor të vitit të kaluar, për tre arsimtarë në shkollat fillore që punojnë sipas sistemit serb dhe dy profesorë në një shkollë të mesme dhe një shkollë të elektroteknikës, që po ashtu funksionojnë sipas sistemit serb.

Paraprakisht, në maj të vitit 2023, kjo komunë shpalli konkurs për 14 vende pune në shkollat fillore dhe 11 profesorë në shkollat e mesme.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë me drejtorët e këtyre shkollave, por në telefon është përgjigjur vetëm drejtori i Shkollës së Elektroteknikës, Millan Dimitrijeviq.

I pyetur nëse në shkollën e tij ka mësimdhënës që e marrin pagën nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, ai tha se nuk mund të përgjigjet.

“Nuk mund t’ju jap asnjë informacion, për çdo gjë duhet të kontaktoni Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë”, tha Dimitrijeviq, duke iu referuar një institucioni paralel që udhëheq arsimin e komunitetit serb në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar këtë institucion dhe Ministrinë e Arsimit në Qeverinë e Serbisë, e cila është përgjegjëse për sistemin arsimor në komunitetet serbe në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.

Situatë e ngjashme në fushën e shëndetësisë

Kosova ndan buxhet edhe për punëtorët në sistemin shëndetësor në komunat me shumicë serbe, ndonëse ata punojnë sipas sistemit serb.

Ngjashëm me rastin e V.J., REL-i ka gjetur edhe një rast ku një punëtore shëndetësore në Mitrovicën e Veriut – tjetër komunë me shumicë serbe, afër Leposaviqit – ka ngritur padi, pasi paga nga sistemi i Kosovës i është ndërprerë papritur në vitin 2015. Deri atëherë, ajo kishte marrë pagë të dyfishtë – edhe nga Kosova, edhe nga Serbia.

Komunat me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër shpesh shpallin konkurse për mjekë apo personel tjetër mjekësor, të cilët më pas punësohen në ndonjë institucion shëndetësor që punon në sistemin serb.

Këtë e konfirmoi Branimir Stojanoviq, ish-kryetar i Graçanicës dhe ish-zyrtar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Ai tani është një nga themeluesit e partisë së re të serbëve në Kosovë – Lëvizja Popullore Serbe.

“Ju keni mjekë specialistë, të cilët, p.sh., punojnë në spitalin e Graçanicës. Ndoshta ka pasur ndonjë manipulim me kontratat më parë, por ajo që kemi bërë, është se ne kemi shpallur konkurse dhe kështu kemi punësuar njerëz”, tha Stojanoviq dhe shtoi se nuk beson se ka pagesa të dyfishta për këta punëtorë.

Stojanoviq beson se institucionet arsimore dhe shëndetësore në Kosovë duhet të mbeten të lidhura me sistemin serb, sepse ato janë kyçe për mbijetesën e serbëve, sipas tij.

Ai tha se problemi i pagesave të dyfishta të rrogave duhet të rregullohet përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në vitin 2013.

Ky asociacion, i cili nuk është themeluar ende, parashihet të ketë juridiksion në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, por edhe buxhetin e vet, në të cilin do të derdheshin mjete nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë.

Shteti serb ndan çdo vit miliona euro fonde për Kosovën, megjithëse nuk ka shumë transparencë se si shpenzohen ato fonde.

Vetëm për vitin 2024 janë ndarë afër 140 milionë euro.

Pagat në fushën e arsimit dhe atë të shëndetësisë kalojnë përmes Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it në lidhje me këtë temë.

Sipas një projektstatuti të hartuar nga Perëndimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, institucionet serbe të shëndetësisë dhe të arsimit parashihet të regjistrohen si institucione private.