Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar se deri tani nuk ka ndonjë kosovarë të lënduar nga sulmet e së martës në bazat amerikane në Irak.

Pacolli në shkrimin e bërë në Facebook ka thënë se, MPJ është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar sigurinë e kosovarëve në Irak, transmeton Telegrafi.

“Shumë qytetarë të Kosovës punojnë në bazat ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak, përfshirë ato që kanë qenë shënjestër e sulmeve të mbrëmshme iraniane. Puna është duke vazhduar për të identifikuar të gjithë kosovarët, por informatat e para janë që dhjetëra kosovarë punojnë në këto baza. Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar sigurinë e kosovarëve dhe në të gjitha kapacitetet tona ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme. Deri më tani të gjithë kosovarët janë të sigurt dhe shëndoshë e mirë”, ka shkruar ai.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt vendeve që ka tensione si Irak, Iran dhe Jemen. /Telegrafi/