“Pa vonesa të mëtejshme”: Shefi i OBSH-së u bën thirrje udhëheqësve të veprojnë mes valës vdekjeprurëse të të nxehtit në Evropë


Me dhjetëra njerëz në Evropë që vdesin nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë ditët e fundit, shefi i OBSH-së tha se nuk mund të ketë “vonesa të mëtejshme” për veprimet klimatike.
“Udhëheqësit duhet t’i japin përparësi investimeve në sisteme shëndetësore rezistente ndaj klimës, duke përshpejtuar gjithashtu veprimet klimatike dhe duke zbutur faktorët që shkaktojnë krizën klimatike”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus në X, përcjell Telegrafi.
Për të mbrojtur njerëzit, OBSH po u kërkon autoriteteve t’i bëjnë qytetet më të freskëta, të sigurojnë qasje në ujë dhe hije, të kontrollojnë ata që janë më në rrezik dhe të përgatisin sistemet shëndetësore para se temperaturat të arrijnë kulmin.
Rajoni Evropian është rajoni me ngrohjen më të shpejtë në nivel global.
Të paktën 40 persona humbin jetë në Francë, ndërsa vala e të nxehtit prej 43 gradësh përfshiu vendin

Vetëm në 4 vitet e fundit, nxehtësia ka marrë më shumë se 200,000 jetë, ndërsa vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë është rritur me 30% gjatë 20 viteve të fundit.
“Temperaturat në të gjithë Evropën po rriten me afërsisht dyfishin e normës mesatare globale, duke rritur gjasat dhe ashpërsinë e nxehtësisë ekstreme në të ardhmen”, shtoi Tedros.
Me nxehtësinë që po i shkakton stres trupave njerëzorë, “nxehtësia nuk është më vetëm një histori moti”, tha OBSH-ja në një postim në Instagram. “Është një emergjencë shëndetësore”. /Telegrafi/






































