Siria ka emëruar Omer Muhammed Çiftçin, një gjeneral me origjinë turke, si komandantin e ri të Divizionit të 62-të të Ushtrisë Siriane. Çiftçi, i cili mori shtetësinë siriane pas rënies së regjimit të Asadit, do të zëvendësojë Muhammad al-Jassem, i njohur si Abu Amsha.

Abu Amsha më parë drejtonte Divizionin Sultan Suleiman Shah, një formacion i mbështetur nga Turqia, i cili më pas u integrua në forcat e armatosura siriane. Pas largimit nga komanda kryesore, ai është caktuar si zëvendëskomandant në Trupat e Çështjeve Administrative të Rajonit Qendror.


Ky ndryshim vjen në kuadër të një riorganizimi më të gjerë ushtarak nga udhëheqja e Ahmed al-Sharaas, e cila synon të forcojë kontrollin qendror, të kufizojë strukturat autonome të ish-fraksioneve rebele dhe t’i integrojë ato më ngushtë në aparatin shtetëror të sigurisë, raportojnë mediat.

Divizioni i 62-të ka qenë nën kritika për shkak të lidhjeve të forta personale të trupave me Abu Amshën, si dhe për akuzat ndaj tij për shkelje të të drejtave të njeriut, zhvendosje të detyruar dhe korrupsion. Njësia është përmendur gjithashtu në raportime për përplasje sektare në Siri.

Çiftçi, i njohur edhe me pseudonimet Muhtar Türki dhe Umar Mohammed Jaftashi, ka lindur në Turqi në vitin 1980. Ai ka një të kaluar në konfliktet në Afganistan dhe Siri dhe ka shërbyer në poste të larta ushtarake, duke përfshirë komandën e Divizionit të 70-të pranë Damaskut.

Emërimi i tij ka pasoja të rëndësishme gjeopolitike, pasi lidhet me integrimin e luftëtarëve të huaj në ushtrinë e re siriane.

Çiftçi ishte më parë në listën e personave më të kërkuar të Turqisë për akuza lidhur me Al-Kaedën, por emri i tij u hoq pas promovimit të tij në fund të vitit 2024. Ky zhvillim shihet si pjesë e strategjisë së al-Sharaas për të vendosur figura besnike në poste kyçe të sigurisë. /Telegrafi/