LAJMI I FUNDIT:

Pa punëtorët nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor, ndërtimtaria në Gjermani paralizohet

Pa punëtorët nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor, ndërtimtaria në Gjermani paralizohet

Kreu i Shoqatës gjermane të Zejtarisë, Hans Peter Wollseifer kërkon viza më të shpejta për punëtorët nga Ballkani Perëndimor. Pa ta nuk do të ngrihej asnjë ndërtesë betoni më në Gjermani.

Politika nuk e ka arritur qëllimin për lehtësimin e tregut të punës, ka kritikuar Wollseifer.


“Kur njerëzit nga Ballkani duan të vijnë në Gjermani, kjo mund të zgjasë me vite derisa ata të marrin një vizë. Por pikërisht këta njerëz nga Ballkani na duhen urgjentisht sidomos në fushën e ndërtimi”, thotë ai.

Dihet se sektori i ndërtimit ka mjaft vështirësi për shkak të mungesës punëtorëve gjermane.

“Pa punëtorët hekurpunues nga Ballkani në ndërtim nuk do të ngrihej më asnjë ndërtesë betoni në Gjermani”, shprehet Wollseifer.

Kritika për zyrat e të huajve

Ai ka kritikuar autoritetet gjermane të dhënies së vizave për mënyrën e veprimit në dhënien e vizës për emigrantët e punës.

“Zyrat e të huajve veprojnë shumë shpesh si autoritete të mospranimit të të huajve. Por ato duhet të jenë qendra të mirëseardhjes. Këtë frymë për fat të keq e përjetojnë shumë pak zyra”, tha ai për gazetat gjermane.

“Ne kemi nevojë për fuqi të huaj punëtore nga jashtë. Për fat të keq që nga hyrja në fuqi e ligjit të fuqisë së kualifikuar punëtore para tre vitesh vijnë më pak punëtorë se sa kishim menduar ne”, përfundon Wollseifer.

Pandemia e COVID-19 ka luajtur rol në trendin e ardhjes së punëtorëve nga jashtë, por ende nuk është lehtësuar sa duhet tregu i punës. /Deutsche Welle/