“Pa justifikime, paguani gjobën”: Endrick kërkon me humor 100 euro nga shokët e skuadrës që vonohen në stërvitje

Sulmuesi brazilian është kthyer shpejt në një “forcë disiplinore” plot humor te Lyon pas huazimit nga Real Madrid, me një video virale nga stërvitja që tregon 19-vjeçarin duke pritur shokët që mbërrijnë me vonesë dhe duke u kërkuar gjobë prej 100 eurosh.
Në pamje, Endrick shihet me krahët e kryqëzuar, duke kontrolluar orën dhe duke treguar nga sahati teksa lojtarët vijnë me vonesë.
Kur përballen me të, ai u thotë me vendosmëri: “Do të paguani, nuk ka justifikime”.
Endrick maître du temps et attentif au moindre retard à l’entraînement ce matin ⏱️😆 pic.twitter.com/NAHJyJCxtP
— Olympique Lyonnais (@OL) February 19, 2026
Sulmuesi është përshtatur menjëherë me jetën në Francë, duke lënë përshtypje pozitive si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Ai ka folur me tone pozitive për ambientin e ri, duke vlerësuar strukturën dhe intensitetin te Lyoni si faktorë që e kanë ndihmuar të përshtatet shpejt.
Në fushë, shifrat flasin qartë: Endrick ka realizuar tre gola dhe ka dhënë një asist në vetëm katër paraqitje, duke u shndërruar shpejt në një kërcënim serioz në sulm dhe duke dëshmuar pse Real Madridi investoi kaq shumë tek ai që në moshë të re./Telegrafi




















































