“Mua vet ambasadorët me thonë: Ne jemi të habitur si mundet një parti politike, elektorati i të cilëve janë 100% pro BE nuk e ndihmojnë procesin e BE-së”. Këtë e deklaroi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, në emisionin “Debat në Shenja”, duke folur për rolin e VLEN-it, në raport me integrimin vendit në BE.

Sipas tij, kjo ndodh për shkak se VLEN-i në Qeveri është i defaktorizuar.


“VLEN-i nuk ka autonomi vendimmarrje në Qeveri. Vendimet atje i merr kryeministri. Ata çdo ditë njëri për tjetrin shkojnë të kryeministri, ankohen tregojnë se ky bën kështu, ky shkel ligjin atje. Edhe vet kryeministri ka deklaru se më shumë energji harxhojë duke i pajtuar liderët e partive në VLEN sesa për të bërë ndonjë proces përpara”, deklaroi Osmani, duke shtuar se kumtesat partiake të VLEN-it, i shkruan ish deputeti OBRM-PDUKM-së.

Osmani, tha se VLEN-i nuk ka peshë në Qeveri, për shkak se kanë hyrë pa mandat, ndërsa shtroi edhe dilemën se sipas tij “në VLEN ka edhe dilema ideologjike sa i takon të ardhmes evropiane të vendit”.

Osmani u pyet edhe për pretendimet se BDI qëndron pas dere për të hyrë në Qeveri, ndërsa tha se ata nuk kanë qëndruar asnjëherë pas dere, por se ata e kanë mandatin për të qenë në këtë Qeveri.

“Për shkak se është fitues i vullnetit popullor, qoftë në zgjedhjet presidenciale dy javë përpara, qoftë në zgjedhjet parlamentare”, deklaroi Osmani. /tvshenja