LAJMI I FUNDIT:

Osmani uron diplomimin e 27 grave kosovare në fushat e energjisë, në Iowa të SHBA-së

Osmani uron diplomimin e 27 grave kosovare në fushat e energjisë, në Iowa të SHBA-së

27 gra nga 25 komuna të ndryshme të Kosovës diplomuan në Des Moines Community College (DMACC) në Iowa të SHBA-së.

Bursistet e Programit “Gratë në Energji”, të cilat u përzgjodhën nga mesi i qindra grave për një program dyvjeçar të studimeve në fushat e lidhura me energjinë, tani kanë marrë diplomë/gradë të asocuar në: Teknologji të Erës, Energji të Ripërtëritshme, Teknologji Diellore, Teknologji të Centralit, Prodhim, Energji Elektrike, Tregti të Ndërtimtarisë, Teknologji të Ujit dhe Ujërave të Zeza dhe Teknologji të Informacionit, si pjesë e Programit “Gratë në Energji” të Fondacionit të Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).


Në ceremoninë e diplomimit hibrid morën pjesë Presidentja  Vjosa Osmani, ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të MCC-së, Mahmoud Bah, Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead, Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, dhe Presidenti i DMACC-së, Rob Denson, të cilët festuan arritjet e të diplomuarave përmes adresimeve të drejtpërdrejta si dhe videomesazheve të incizuara.

Osmani, dërgoi përshëndetje të ngrohta për 27 gratë që pritet të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë në sektorin e energjisë në vend.

Ajo u tregoi vajzave se sa krenare është për arritjet e tyre dhe guximin e tyre për ta ndjekur një karrierë në STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), ndërsa inkurajoi më shumë vajza ta bëjnë të njëjtën gjë.

“Të kemi më shumë gra në STEM nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por është gjëja më e zgjuar për t’u bërë, është pikërisht ajo çfarë duhet të bëjmë tani”, shtoi Osmani.

“Gratë në Energji është një program që jo vetëm ka ndryshuar jetën tuaj përgjithmonë, por është një program për të cilin të gjithë jemi mirënjohës dhe e vlerësojmë shumë, pasi është programi që gjithashtu kontribuon në mënyrë aktive drejt ndryshimit të rrjedhës së historisë për gratë në energji në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të MCC-së, Mahmoud Bah, i përgëzoi të diplomuarat, duke theksuar rëndësinë thelbësore të përfshirjes së grave për rritjen e Kosovës.

“Vendet nuk mund të kenë sukses nëse gratë nuk kanë sukses, dhe investime si Programi i Bursave ‘Gratë në Energji’ për ta mbështetur rolin kryesor të grave në të ardhmen e energjisë në Kosovë luajnë rol të rëndësishëm në këtë drejtim”. Z. Bah vazhdoi duke thënë: “Puna e MCC-së në sektorë kritikë si energjia është pjesë e një qasjeje holistike për të ndërtuar qëndrueshmëri ndaj klimës, për të promovuar zhvillim ekonomik të mençur në aspektin klimatik dhe për t’i ngritur njerëzit nga varfëria duke i angazhuar ata në tranzicionin përtej burimeve të energjisë me bazë në lëndë djegëse fosile. Të diplomuarat e sotme do të vazhdojnë të jenë forcë për ndryshime pozitive në komunitetet e tyre, nxitëse të rritjes ekonomike dhe burim frymëzimi për gratë kudo.”

Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead, në videomesazhin urues për vajzat, u tha të diplomuarave.

“Tani jeni gati të jeni udhëheqëse në atë tranzicion këtu në Kosovë. Ndërsa ktheheni në shtëpi dhe filloni të angazhoheni punë ose mendoni të filloni diçka të re, mbani në mend se jo vetëm që të gjithë ne do t’ju shikojmë dhe do t’ju përkrahim ndërsa ju rrugëtoni drejt sukseseve, por edhe të rinjtë e Kosovës do t’ju shikojnë dhe do të mësojnë nga përvojat tuaja.”

Drejtori ekzekutiv i MFK, Petrit Selimi u shpreh krenar për vajzat dhe falenderues për “Des Moines Area Community College” që mirëpriti vajzat nga Kosova dhe u bë shtëpi e dytë për to.

Ndër të tjera Selimi u shpreh “Programi ‘Gratë në Energji’ që u mbështet nga miqtë në Uashington DC, në Des Moins dhe në të gjithë Kosovën, me të vërtetë bashkoi qindra gra, që u frymëzuan nga fjalët dhe veprat e disa prej grave pioniere në sektorin e energjisë dhe aplikuan për programet tona dhe tani u bënë gjenerata e re e grave udhëheqëse në energji që do të fillojnë një rrugë të re me njohuri të reja, shpresojmë me një shtysë të re dhe entuziazëm të ri për të ndihmuar Kosovën të përmbushë disa nga pengesat fundamentale në këtë sektor.”

Gjatë kësaj periudhe dyvjeçare, jo vetëm që këto gra janë ngritur profesionalisht, duke takuar njerëz të rinj dhe duke u ekspozuar ndaj kulturave dhe ideve të ndryshme, por ato gjithashtu i kanë zhvilluar aftësitë e tyre praktike dhe kanë fituar njohuri të cilat i kanë përgatitur për tregun e punës në vendin e tyre. Studimet në Des Moines Community College (DMACC) janë përqendruar kryesisht në arsimimin dhe trajnimin praktik dhe ndërveprues përmes teknologjisë së avancuar dhe laboratorëve ku u zhvilluan shumica e orëve akademike. Tani, këto të diplomuara janë të gatshme të kthehen në Kosovë dhe t’i aplikojnë njohuritë e tyre për të mirën e vendlindjes së tyre.

Si përfituese të Programit “Gratë në Energji” të Fondacionit të Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK), këto të reja tashmë janë punonjëse potenciale të disa prej kompanive kryesore në sektorin e energjisë në Kosovë, të cilat fillimisht kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’u takuar me këto të sapodiplomuara dhe për t’i ftuar ato t’i bashkohen tregut.

“Gratë në Energji-WE” është projekt i zbatuar nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK), mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që synon ta mbështesë zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes përfshirjes më të madhe gjinore në peizazhin energjetik të Kosovës./Telegrafi.

Në trend Lajme

Më shumë
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
Hapi i fundit i Kosovës për anëtarësim në KiE, Serwer : Indinjata e Serbisë është e turpshme

Hapi i fundit i Kosovës për anëtarësim në KiE, Serwer : Indinjata e Serbisë është e turpshme

Lajme

"Kushtëzimi" i anëtarësimit të Kosovës në KiE, Musliu-Shoshi: Ndërkombëtarët nuk po kërkojnë asgjë çka nuk është dakorduar Kurti në marrëveshjen e Ohrit

Elfije Boletini
“Në hava kam me t’çu se e kam vajzën deputete”, Deliu-Kodra me kritika të ashpra ndaj deputetes së LVV-së duke ia kujtuar rastin e 90-vjeçarit

“Në hava kam me t’çu se e kam vajzën deputete”, Deliu-Kodra me kritika të ashpra ndaj deputetes së LVV-së duke ia kujtuar rastin e 90-vjeçarit

Lajme
Mashtrime me vlerë 10 milionë euro, SPAK operacion kundër Call Center

Mashtrime me vlerë 10 milionë euro, SPAK operacion kundër Call Center

Lajme
Kalo në kategori