LAJMI I FUNDIT:

Osmani priti në takim lamtumirës përfaqësuesen rezidente të UNDP-së në Kosovë

Osmani priti në takim lamtumirës përfaqësuesen rezidente të UNDP-së në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani priti të premten në takim lamtumirës përfaqësuesen rezidente të UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko. Sipas Presidencës, Osmani e falënderoi atë për angazhimin e saj përgjatë katër viteve të fundit në zbatimin e projekteve me në qendër të tyre mbështetjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

“Presidentja Osmani vlerësoi lartë kontributin e UNDP-së në mbështetjen e shumë programeve dhe projekteve në Kosovë, me theks të veçantë tek ato për gratë, rininë, mjedisin, ndryshimet klimatike dhe personat me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftimin për media.


Në takim bëhet e ditur se u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Zyrës së Presidentes dhe UNDP-së gjatë edicionit të kaluar të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe nismës së mbjelljes së drunjve, nisma të cilat vazhdojnë edhe këtë vit.

“Znj. Suokko shprehi falënderimin e sinqertë për bashkëpunimin me Presidenten Osmani dhe zyrën e saj dhe në të njëjtën kohë e njoftoi edhe për projektet e reja që priten të fillojnë të zbatohen gjatë muajve në vazhdim në Kosovë”, thuhet tutje. /Telegrafi/