Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se pavarësia e Kosovës ishte rezultat i vullnetit të popullit dhe i një sakrifice shekullore, duke kujtuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe viktimat e shumta gjatë luftës.

“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka deklaruar Osmani në një postim në Facebook.


Ajo ka theksuar se Serbia ka kryer krime të rënda kundër popullit të Kosovës, duke i cilësuar ato si gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani ka kritikuar përpjekjet për të barazuar luftën e UÇK-së me krimet e kryera nga Serbia, duke theksuar se këto përpjekje dëmtojnë drejtësinë dhe paqen afatgjatë.

“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë” ka theksuar ajo.

Në fund, Osmani ka ritheksuar kërkesën për drejtësi dhe rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike.

“Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/