Osmani: Miratimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat do të shënojë një nga ditët më të errëta për marrëdhëniet ndëretnike në vend


Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani në një status në rrjetin social Facebook shkruan se miratimi i Ligjit për përfaqësim të Drejt dhe Adekuat do të shënonte një nga ditët më errëta për marrëdhëniet ndëretnike dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tij ky ligj e përmbys tërësisht logjikën e përfaqësimit të drejtë që ka qenë një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.
“Propozim ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat nuk e ndryshon vetëm mekanizmin.Ai e përmbys tërësisht logjikën e përfaqësimit të drejtë që ka qenë një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.
Deri më sot, përfaqësimi garantohej në fillim të procesit. Nëse kishte pesë vende pune të parapara për shqiptarë, konkurronin shqiptarët dhe përzgjidheshin pesë më të mirët mes tyre. E njëjta me të tjerët. Pra, barazia garantohej paraprakisht, ndërsa meritokracia vendoste brenda komunitetit.
Me këtë ligj, ndodh e kundërta. Fillimisht drejtuesit e institucioneve do të zgjedhin kë të duan ata nën arsyetimin e meritokracisë. Vetëm më pas, në fund të vitit, një komision shtetëror me shumë gjasë i drejtuar nga Stoilkoviq do të vlerësojë nëse është respektuar përfaqësimi i drejtë.Pra, përfaqësimi i drejtë nuk është më garanci para punësimit, por raport administrativ pas punësimit.
Ky është ndryshim rrënjësor i konceptit. Nga një sistem që garantonte barazinë në hyrje, kalojmë në një sistem që ua lë gjithçka në dorë drejtuesve të institucioneve dhe pastaj pretendon se padrejtësitë mund të korrigjohen me raporte vjetore.
Prandaj, nëse miratohet, ky ligj do të shënojë një nga ditët më të errëta për marrëdhëniet ndëretnike dhe për frymën e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Osmani./Telegrafi/





































