LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Jemi në pritje të kërkesës së qeverisë se si do të procedohet me buxhetin 2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se mbetet të shihet, a do të zgjatet buxheti aktual edhe për muajin mars, apo të votohet ai për këtë vit.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se janë në pritje të kërkesës nga ana e qeverisë për futje në rend të ditës së buxhetit.


“Për sa i përket trajtimit të buxhetit për vitin 2020, neve na është dërguar një letër nga ana e Thesarit brenda Ministrisë së Financave për të na njoftuar se së shpejti do ta kemi kërkesën që qoftë që të kërkohet zgjatja buxhetore për muajin mars, apo qoftë se do të vjen buxheti në tërësi i proceduar. Shpresoj që deri të hënën ta kemi këtë kërkesë specifike nga ana e Qeverisë së Kosovës në atë mbledhje të Kryesisë”, tha Osmani, përcjell Telegrafi.

“Në qoftë se në seancën e radhë që shpresojmë që do të mbahet ditën e enjte që vjen, do ta trajtojmë vetëm kërkesën buxhetore për muajin mars apo do ta vendosim në rend dite në tërësi, ku varet nga vendimi i qeverisë që do të merret këto ditë”, shtoi ajo.

Osmani edhe sot theksoi se tarifa 100 për qind ndaj Serbisë, duhet të zëvendësohet me reciprocitet të plotë. /Telegrafi/