LAJMI I FUNDIT:

Opsionet e Kosovës përballë inflacionit

Opsionet e Kosovës përballë inflacionit

Rritja e çmimeve të produkteve është bërë temë diskutimi tash e një kohë edhe në Kosovë. Pandemia, e pasuar me konfliktin në Ukrainë, janë indikatorët kryesor që e kanë vënë ekonominë botërore para një trendi të tillë, e pashmangshëm edhe Kosovën.

Ekonomistët, japin disa ide se si do të mund të veprohej në këtë situatë.


Naim Huruglica, ish-drejtor i Doganave të Kosovës, përmend se përveç uljes së akcizës e TVSH-së, duhet të ketë edhe mbështetje direkte për produkte të caktuara.

“Mund të jetë një kombinim i uljes së normës së TVSH-së për një kohë të caktuar sepse nëse e dini akciza nuk përcaktohet në bazë të çmimit të rritur të importit, por në bazë të sasisë së importuar d.m.th. ajo është e përcaktuar në sasi jo në çmim, ndërsa TVSH-ja rritet sepse TVSH-ja është në vlerë”.

“Në rastin konkret nëse Qeveria arrin me sjellë ma shumë të hyra, si rezultat i rritjes së çmimit në tregun botëror do të ishte e logjikshme që ta gjej metodën që këto të hyra ose ti kthej mbrapa ose ta zvogëloj TVSH-në për përqindjen e çmimeve që janë rritë. D.m.th. mund të behët një kombinim i këtyre politikave duke përfshirë edhe subvencionimin e industrive të caktuara”, ka thënë Huruglica.E një opsion tjetër, që sipas Endrit Fetës, njohës i ekonomisë politike, do të mund të ketë ndikim direkt në ekonominë e tregut është heqjen e përkohshme të akcizës në naftë, shkaku i efektit të saj zinxhiror.

“Është e kuptueshme dhe e pranueshme që kjo në vete mbartë koston e humbjeve të hyrave nga akciza në naftë, megjithatë me dyfishimin e akcizës në duhan dhe në pije alkoolike mbi 2/3 e kësaj kosto do të mund të rikuperohej duke marrë parasysh edhe rënien e konsumit tek këto dy të fundit”.

“Tutje unë mendoj që nëse ky ndryshim në akcizë do të përcillej me çmimin tavan, masën të cilën aktualisht e aplikon Qeveria e Kosovës do të hiqte çdo dilemë për efektshmërinë dhe do t’i mundësonte bizneseve e  qytetarëve të Kosovës që ta paguanin çmimin e naftës për 35 centë më lirë, dhe kosto totale e kësaj do të ishte rreth 50 milion më pak inkasim nga akciza në një periudhë 6 mujore”, ka thënë Feta.

Feta, i pyetur për përgjigjen e qeverisë përballë inflacionit, ka theksuar se masat e deritashme, nuk kanë qenë të efektshme.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit e matur gjatë muajit shtator të këtij viti, e krahasuar me atë të vitit 2021 ishte 12.7 për qind.

Ndër produktet që kanë ngritje të theksuar të çmimeve, në raportin e ASK-së përmenden lëndët djegëse të ngurta, drutë e zjarrit si edhe peleti, që kanë shkuar deri në 60 % më shtrenjtë./RTV Dukagjini/