LAJMI I FUNDIT:

Opozita, e pavendosur rreth braktisjes së Kuvendit

Opozita, e pavendosur rreth braktisjes së Kuvendit

Partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ende nuk kanë një vendim të prerë nëse do ta braktisin përfundimisht Kuvendin e Kosovës.

Aktualisht, ka një ide që të braktisen seancat dhe të shkohet vetëm në seancën në të cilën eventualisht do të shpërndahej Kuvendi dhe do të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme.


Bisedimet lidhur me vendimin final pritet të vazhdojnë edhe me tej, thonë në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se liderët e partive politike janë duke u konsultuar për harmonizimin e qëndrimeve për t’i dhënë fund pjesëmarrjes në seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Do të zhvillohen takime mes partive politike, të cilat mendoj se do të marrin vendim që më të mos shkohet në seanca”, ka thënë Isufi.

Edhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vazhdimi i përdorimit të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit është i panevojshëm.

“Ne jemi duke biseduar, derisa të kemi një qëndrim të përbashkët si opozitë “, ka deklaruar ai.

Kauza e përbashkët e opozitës, sipas Limajt, është largimi i qeverisë aktuale dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

“Në emër të kësaj kauze do të gjendet gjuha e përbashkët “, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se aktualisht nuk ka një qëndrim lidhur me largimin ose jo të opozitës nga Kuvendi.

“Ende nuk kemi vendim të përbashkët si opozitë e bashkuar për diçka të tillë. Janë diskutuar gjerë e gjatë mendime e qëndrime rreth asaj se si duhet vazhduar protestën tonë brenda institucioneve. Në anën tjetër, opozita e bashkuar vazhdon të konsolidohet në terren dhe po punon vazhdimisht për protestën e 26 marsit”, ka thënë Adonis Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje. “Nuk do të ndalemi deri në anulimin e marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit dhe deri në largimin e kësaj qeverie antikushtetuese”.

Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike në opozitë thonë se janë unikë në synimet e tyre për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë aktuale. Ata kanë paralajmëruar për 26 mars mbajtjen e një proteste për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, kurse përfaqësuesit e qeverisë po kërkojnë nga opozita që shqetësimet e saj t’i debatojë në institucione.