Operacioni “Kombinimi”, sekuestrohet drogë, tritol dhe armë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka finalizuar operacionin “Kombinimi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Në njoftim thuhet se janë arrestuar në flagrancë shtetasit: A. T., 53 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Laç dhe T. T., 27 vjeç, banues në Tiranë, të dy, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
“Këta shtetas janë ndaluar nga shërbimet e Policisë, në Bathore, duke qarkulluar me dy automjete, në të cilat gjatë kontrollit, u gjetën në total 4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se ata e posedonin me qëllim shitjen në doza, në Bathore dhe në Kamëz”, thuhet në njoftim.
Më tej, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, u krye kontroll në banesën e 53-vjeçarit, në fshatin Gjormë, ku u konstatua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, u gjetën 48 bimë dhe 120 fidanë cannabis sativa, të kultivuara në vazo, 7 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 4 kallëp tritol, 2 granata, 2 ndezëse, 7 fitila detonator dhe 3 kuti me ndezësh minash luftarake.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, në Tiranë, u gjetën 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 peshore elektronike, 1 shufër metalike dhe 1 armë e ftohtë (thikë).
Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/



















































