LAJMI I FUNDIT:

Olluri: Kemi pasur vonesa në sigurimin e materialit esencial për kryerje të ADN-së

Olluri: Kemi pasur vonesa në sigurimin e materialit esencial për kryerje të ADN-së
Foto: Arkiv

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri ka thënë se janë përballur me mungesë të materialeve esenciale për kryerjen e analizave të ADN-së, që sipas tij, ka ndodhur për shkak të procedurave të tejzgjatura të prokurimit.

Olluri para deputetëve ka adresuar çështjen e prokurimit, duke kërkuar përjashtim nga procedurat e rregullta.


“Kemi pasur vonesa të dukshme në realizimin e materialit esencial për kryerjen e analizës së ADN-së dhe materialeve të tjera për kryerje të ekzaminimeve të tjera. Kjo vlerësojmë që nuk duhet me ndodh dhe ne nuk duhet të presim për material, duhet të sigurohet materiali, të kemi dhe të kryejmë, sepse në laboratorin e ADN-së janë diku për momentin mbi 100 kërkesa për kryerje të ekspertizave.

Ajo të cilën ne kishim dasht në të ardhmen të zgjidhim këtë problematikë është të adresohet çështja e prokurimit dhe ndoshta të zbatohet neni i cili e rregullon çështjen e përjashtimit prej procedurave të rregullta. Në mënyrë që ne të kemi kërkesa të përshpejtuara sepse janë të veçanta specifike, nuk janë kërkesa të përgjithshme”, ka thënë ai.

Si një prej sfidave kryesore me të cilën është ballafaquar Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Olluri tha se është ndryshimi i statusit të personelit.

“Kërkesa jonë para këtij komisioni dhe para juve kryetar, ju lutem të adresoni këtë çështje në mënyrë që të mbrohet statusi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe të mbetët ashtu siç ka qenë por jo të ndryshohet me Ligjin për zyrtar publik. Kërkojmë që të përjashtohet nga Ligji për zyrtarë publik, ashtu siç janë përjashtuar Policia e Kosovës, sepse sikur të ishim në kuadër të policisë Kosovës nuk do të ndryshohej, ne e kemi situatën që 70% të personelit i kalon gradat policore, i ka kaluar në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë”, tha ai, raporton Kp.

Ai ka thënë se tashmë kanë përfunduar projektin financiar nga Qeveria e Kosovës në vlerë 1.5 milion euro për ndërtimin e aneks objektit.

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci pati kritika se procesi ishte tejzgjatur, duke përmendur këtu edhe çështjen e cila ka kaluar në gjykatë pasi Agjencia kishte shkëputur kontratën me kompaninë punëkryese.