Nga: Elife Luzha

Aristoteli, një nga mendimtarët më të mëdhenj të Greqisë së lashtë, në dy prej veprave të tij, mes atyre që kanë arritur t’u mbijetojnë shekujve, ka vënë jo vetëm bazat e disa fushave të dijes, por edhe themelet e progresit të mendjes njerëzore. Në veprën e njohur Politika, Aristoteli krijon shtyllat e mendimit politik mbi rregullimin shtetëror. Duke dhënë konceptet e tij mbi shtetin, pronën, pushtetin, ligjet, virtytin, qytetarët dhe raportet mes tyre, duke analizuar me detaje format e rregullimit shtetëror të poliseve (qytet-shteteve) greke, si dhe duke dialoguar me burrështetasit dhe mendimtarët e kohës, ai arriti të sintetizojë mendime të dobishme dhe sjell përfundime të argumentuara, të cilat edhe sot vazhdojnë të jenë bazament i fuqishëm i kësaj fushe. Studiues të shumtë të veprës së Aristotelit e shohin Politikën si vazhdimësi të Etikës, vepër e cila përcakton etikën aristoteliane. Ndërsa Etika është vepër mbi individin, Politika paraqet një vepër mbi polisin (qytet-shtetin), dhe të dyja bashkë paraqesin leksionet e Aristotelit mbi “filozofinë e punëve njerëzore”.

Reklama
Reklama

Si e tillë, Politika paraqet një sintezë idesh, tezash dhe konceptesh, që reflektojnë gamën e gjerë të dijes e përvojës së Aristotelit, si dhe thellësinë e mendimit analitik dhe kritik të tij. Nga këndvështrimi i strukturës, libri ndahet në tetë pjesë (libra), të cilat më tej ndahen në kapituj. Libri i parë përfshin diskutimet mbi qytetin, familjen, jetën shoqërore dhe pronën, për të vazhduar në librat e tjerë me trajtimin e çështjes së pushtetit më të mirë, llojet e monarkive, llojet e demokracive, llojet e oligarkive, qeverinë kushtetuese, krahasimin e kushtetutave, por edhe edukimin në shtetin ideal, që është objekti i librit të fundit. Nga problematikat që Aristoteli trajton brenda veprës Politika, do të ndalemi te pikëpamjet e tij rreth ligjit, të drejtës dhe moralit, si dhe ndikimin që kanë të tria këto në funksionimin e shtetit. Por, paraprakisht, do të prezantohen disa nga konceptet themelore, që Aristoteli përdor në traktatet e tij mbi rregullimin e shtetit.

Reklama
Reklama

Shteti, për Aristotelin, është “e mira më e lartë” që synon njeriu, si qenie e lindur për të jetuar në një bashkësi, sepse, sipas tij, njeriu për nga natyra është qenie shoqërore. “E ai që nuk mund të jetojë në bashkësi, sepse është i vetëmjaftueshëm për veten ose është bishë, ose Perëndi”, vazhdon më tej Aristoteli. Kjo është ideja bazë e Aristotelit për shtetin, ndërsa përkufizimin e plotë për rregullimin shtetëror e jep pas paraqitjes dhe analizës së formave të rregullimit shtetëror të poliseve greke, si Lakedaimoni, Sparta, Kreta, Karkedoni etj.: “Rregullimi shtetëror është njëfarë rendi midis njerëzve që jetojnë në një shtet. E gjithë veprimtaria e burrave shtetërorë dhe e ligjdhënësve sillet rreth shtetit…”.

Reklama

Meqë shteti si sistem kompleks përbëhet nga qytetarët, Aristoteli më tej i jep përgjigje pyetjes: Kush është qytetar i shtetit?, gjatë elaborimit të së cilës vërejmë se koncepti i tij për qytetarin ka të bëjë me të drejtat civile që i takojnë atij. Prandaj, sipas Aristotelit, “qytetar i një shteti është ai, i cili mund të marrë pjesë në pushtetin konsultativ dhe gjyqësor”, pjesëmarrje kjo që e bën “shtetin një grumbull qytetarësh, të aftë për jetë ekonomike të pavarur”. Nisur nga ideja se qytetarët janë themelet e një shteti, atëherë del se edhe funksionimi i suksesshëm i shtetit varet pikërisht nga qytetarët. Lidhur me këtë, Aristoteli thekson se “Virtyti i qytetarit është virtyti i shtetit. Ndërsa vesi i qytetarit është vesi i shtetit”. Në këtë pikë lind edhe dilema e mëtejme: A mund të konsiderohen të njëjtë virtyti i njeriut të mirë dhe virtyti i qytetarit të mirë?

Reklama
Reklama

Duke qenë se brenda shtetit qytetarët funksionojnë si një bashkësi, është e domosdoshme që çdo qytetar të kryejë si duhet funksionin që i është caktuar, në mënyrë që edhe shteti të funksionojë si duhet. Rrjedhimisht, virtyt i qytetarit të mirë apo të vyer është përgjegjësia e lartë ndaj detyrës që i është dhënë. Në këtë mënyrë, Aristoteli mendon se një qytetar mund të jetë i mirë dhe të ketë virtytet e qytetarit të vyer edhe nëse nuk është njeri i mirë, sepse, sipas tij, është e pamundur që të gjithë qytetarët e një shteti të jenë njerëz të mirë, por është e mundur që ata të jenë të vyer dhe të përmbushin detyrat e tyre. Qytetari i mirë duhet të zotërojë aftësinë e të sunduarit, por edhe aftësinë e të nënshtruarit, ndërsa virtyt karakteristik për drejtuesin, sipas Aristotelit, është urtësia. Kur jemi te virtyti i qytetarit dhe virtyti i shtetit, duhet doemos të mbështetemi edhe tek Etika e Aristotelit, sepse Etika ka të bëjë kryesisht me veprimet e qenieve njerëzore si individë, ndërsa Politika ka të bëjë me veprimet e qenieve njerëzore në bashkësi.

Reklama
Reklama

Tek Etika, Aristoteli të gjitha njohuritë i klasifikon në tri kategori: njohuritë teorike, njohuritë praktike dhe ato prodhuese. Të tria këto kategori dallojnë mes tyre për nga qëllimi. Kështu, njohuritë teorike synojnë soditjen; njohuritë prodhuese synojnë krijimin dhe njohuritë praktike synojnë veprimin. Fushat praktike të dijes adresojnë nevojat tona të përditshme si qenie njerëzore dhe kanë të bëjnë me gjëra që mund dhe duhet të ndryshojnë. Të tilla njohuri praktike janë edhe njohuritë mbi jetën apo, thënë ndryshe, njohuritë se si të jetohet dhe si të veprohet. Është pikërisht zotërimi dhe përdorimi i njohurive praktike, që, sipas Aristotelit, bën të mundur një jetesë të mirë. Etika dhe politika, gjithashtu, janë dy shkenca praktike, që merren me qeniet njerëzore dhe ndikojnë te to. Fakti që këto dy fusha Aristoteli i kategorizon te njohuritë praktike, tregon se dobinë e tyre ai e sheh jo në mësimin abstrakt apo teorik, por në zbatimin e etikës dhe politikës në jetë, sepse njohuria praktike është e dobishme kur veprojmë në të.

Reklama
Reklama

Meqenëse të vepruarit në bazë të njohurive praktike kërkon përdorimin e arsyes, Aristoteli përjashton nga pjesëmarrja në politikë gratë, të rinjtë dhe skllevërit, ndërsa nga bashkësia e meshkujve të rritur zgjedh ata që kanë përvojë dhe disiplinë mendore. “Nëse në mesin e tyre dallohet ndonjë me virtyt dhe aftësi, duhet që të gjithë, me dëshirën e tyre, t’i nënshtrohen një njeriu të këtillë, kështu që njerëz të tillë mbesin deri në fund të jetës mbretër në shtete”. Mirëpo Aristoteli vë në dukje edhe rastet, kur në mesin e popullit shfaqen më shumë njerëz të mirë dhe me moral të lartë. Atëherë nuk udhëheq më vetëm njëri, por të gjithë marrin pjesë në pushtet dhe formojnë republikën. Ndërsa njeriut të virtytshëm, që është i vetmi që dallohet në mesin e të tjerëve e që Aristoteli i jep të drejtën e sundimit deri në fund të jetës, për grupin e të virtytshmëve që formojnë republikën ai përmend mundësinë e çoroditjes dhe pasurimit nga bashkësia, që shpie në krijimin e oligarkisë, ashtu siç ndodhi në disa prej poliseve greke.

Reklama
Reklama

Pavarësisht nga forma e rregullimit shtetëror, si mbretëri apo republikë, për funksionimin e shtetit Aristoteli e sheh të domosdoshëm funksionimin e ligjeve, sepse “rregullimi më i mirë shtetëror është ai, në të cilin qeveriset vetëm në bazë të dispozitave dhe të ligjeve”. Në këtë përfundim Aristoteli vjen pasi shtron dilemën: “Është më i dobishëm të nënshtruarit ndaj një njeriu më të mirë apo ndaj ligjeve më të mira?”. Natyrisht që, në këtë çështje të shtruar, ai përkrah nënshtrimin ndaj ligjit, meqë ligjet janë pa pasione dhe, përmes tyre, arrihet gjykimi më i drejtë, ndërsa njeriu, sado i mirë që mund të jetë, është qenie me emocione dhe pasione, të cilat shpeshherë mund t’ia turbullojnë aftësinë e të gjykuarit drejt. Nisur nga këto arsye, edhe në rastet kur ligjet nuk janë të mjaftueshme për ndonjë çështje, më mirë është të gjykojë masa sesa një njeri i vetëm, sepse “masa prishet më vështirë krahasuar me numrin e vogël të njerëzve”.

Reklama
Reklama

Nga sa u tha më lart, sipas Aristotelit, që shteti të ketë drejtësinë dhe rendin, duhet të ketë ligje, sepse ligji është e drejta që vlen njësoj për të gjithë qytetarët. Për më tepër, ai i konsideron ligjet si hyjnore, kur thotë: “Të kërkosh që të sundojë ligji, do të thotë të kërkosh të sundojë Perëndia, ndërsa të kërkosh të sundojë njeriu, do të thotë t’i lejosh edhe kafshës të sundojë, sepse epshi është diçka shtazarake, që i çorodit edhe njerëzit më të mirë kur janë në pushtet. Për këtë arsye ligji paraqet arsye pa dëshirë”. Këto gjykime të Aristotelit janë argumentuar në faza të ndryshme të historisë njerëzore dhe në shoqëri të ndryshme përgjatë shekujve. Nga sundimi i njerëzve që janë udhëhequr prej pasioneve të tyre, janë shkruar faqet më të errëta dhe më të përgjakshme të historisë. Edhe në kohën tonë, ngado gjenden shembuj të devijimeve të rregullimit shtetëror, që i aktualizojnë dhe i argumentojnë mendimet e Aristotelit.

Reklama

Aristoteli konsideron se në shtetet ku udhëheqin njerëzit e pamoralshëm, nuk respektohen ligjet dhe, në këtë mënyrë, si rezultat, krijohen format e devijuara të rregullimit shtetëror. Prandaj, nga rregullimet më të drejta shtetërore, më të mira ai sheh ato ku qeverisin njerëzit e mirë. Prej këtu del edhe përparësia e demokracisë, ku pushteti suprem është në duart e njerëzve të lirë, ndaj oligarkisë, ku pushtetin e kanë të pasurit. Më shumë njerëz të mirë e të virtytshëm ka mes njerëzve të lirë, pra shumicës, sesa në mesin e një grupi njerëzisht të pasur, të cilët këmbëngulin ta ruajnë pozitën e tyre dhe t’i keqinterpretojnë ligjet, apo të mos i përfillin ato. Gjithashtu, përmes demokracisë bëhet e mundur arritja e synimit kryesor të shtetit, që është arritja e së mirës së përgjithshme apo e plotësimit të nevojave të domosdoshme për të gjithë qytetarët, e jo vetëm të një pakice.

Gjithashtu, kur bëhet fjalë për njerëzit dhe ligjet, Aristoteli thekson përparësinë që ka shteti me qytetarë të moralshëm. Kjo, sepse vetëm ligjet, sado të mira qofshin ato, nuk mund të sigurojnë funksionimin normal të shtetit, nëse qytetarët nuk janë të virtytshëm dhe nuk i respektojnë ato. “Ligjet e mira sigurojnë rregullim të mirë shtetëror, vetëm kur njerëzit u nënshtrohen atyre.” Ky mendim na kthen te thënia e lartpërmendur e Aristotelit, se virtytet që e bëjnë njeriun të mirë, mund ta bëjnë edhe shtetin të mirë dhe funksional. Ndërsa për të qenë qytetarët të virtytshëm, është i domosdoshëm funksionimi i institucioneve demokratike, që do të siguronin edukimin e fëmijëve, pavarësisht nëse ata janë vijnë nga shtresa e pasur apo e varfër. Një kujdes i tillë në edukimin fëmijëve mundëson jo vetëm barazinë, por edhe krijimin e karakterit te qytetarët, që i bën ata të mirë dhe të disponueshëm për të kryer veprime fisnike.

Lidhjen mes qytetarit/njeriut dhe rregullimit shtetëror Aristoteli e vazhdon edhe më tej, me diskutimin e mënyrës më të mirë të jetës, përcaktimin e së cilës e sheh si çelës për gjetjen dhe përkufizimin e rregullimit më të mirë shtetëror. Ai sugjeron tri lloje të së mirës: ajo që qëndron brenda nesh, e mira trupore dhe e mira shpirtërore, që kur janë të tria së bashku, e bëjnë njeriun të lumtur. Proporcioni i tri llojeve të së mirës brenda tërësisë duhet të jetë i caktuar, duke i dhënë përparësi gjithnjë të mirës shpirtërore, sepse njeriu është i lumtur, aq sa ka virtyt. Me njerëz të virtytshëm edhe shteti është i lumtur dhe në të punohet me nder. Aristoteli thekson se “guximi, drejtësia dhe urtësia e një shteti ka të njëjtën vlerë dhe shfaqen në të njëjtën formë, në të cilën shfaqen edhe tek individi, i cili vlerësohet si i drejtë, i matur dhe i mençur. “Meqë themelet e funksionimit të shtetit përbëhen nga ligjet, ligjvënësit kanë për detyrë të vendosin ligje, që u sigurojnë njerëzve brenda shtetit jetë të lumtur dhe jo të sigurohet një jetë e lumtur vetëm për njerëzit në pushtet.

Mendimi i Aristotelit, se “mënyra më e mirë e jetës për njeriun e lirë nuk është jeta e burrit të shtetit”, është një urtësi, të cilën duhet ta kenë si udhërrëfyes burrështetasit e sotëm shqiptarë, mënyra e qeverisjes e të cilëve tregon se postet udhëheqëse nuk i shohin si përgjegjësi, por si privilegje, duke i shfrytëzuar ekskluzivisht për të krijuar lumturinë vetjake, ndërkohë që populli nuk gëzon asnjë të mirë nën udhëheqjen e tyre. Kjo mënyrë e qeverisjes, që nuk ka të bëjë aspak me konceptin dhe qëllimin e shtetit si e mira më e lartë që synon njeriu, tregon se kemi të bëjmë me një formë të devijuar të rregullimit shtetëror, e cila sado që përpiqet të vishet me petkun e demokracisë, në fakt është oligarki.

Krijimi i së mirës vetëm për një grup të vogël njerëzish në pushtet bie ndesh me konceptin etik të Aristotelit për shtetin, që ai e përmbledh me pak fjalë: “Është e dëshirueshme dhe e kënaqshme që të përfitosh dhe të mbrosh Të mirën e individit, por është fisnike, hyjnore dhe sublime të përftosh dhe të mbrosh Të mirën e komunitetit dhe të shtetit”. Shteti që ndërtohet mbi bazën e koncepteve të Aristotelit dhe që udhëhiqet nga njerëz të virtytshëm, domosdoshmërish është i suksesshëm dhe funksional. Nyja gordiane që shfaqet si pengesë në ndërtimin e shteteve, që do të siguronin mirëqenien e qytetarëve, në të shumtën e rasteve është marrja e pushtetit nga njerëzit e pamoralshëm dhe të papërgjegjshëm.

Si përfundim, është me rëndësi të theksojmë, se Aristoteli, së bashku me mësuesin e tij, Platonin, me shkrimet e tyre kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në vënien e themeleve të shumë shkencave. Aristoteli siguroi një sintezë të ndërlikuar të filozofive të ndryshme ekzistuese para tij dhe nga mësimet e tij qytetërimi perëndimor trashëgoi leksikun intelektual, si dhe problemet dhe metodat e hetimit. Si rezultat, filozofia e tij ka ushtruar një ndikim unik në pothuajse çdo formë të njohurive perëndimore dhe vazhdon të jetë temë e diskutimit filozofik bashkëkohor.