LAJMI I FUNDIT:

OHTK kërkon nga MSh-ja lejimin e mbajtjes së dasmave, i dorëzon manualin sesi do të funksionojnë sallat e dasmave

OHTK kërkon nga MSh-ja lejimin e mbajtjes së dasmave, i dorëzon manualin sesi do të funksionojnë sallat e dasmave

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës i ka dorëzuar dje Ministrisë së Shëndetësisë, kërkesën për lejimin e mbajtjes së ahengjeve dhe dasmave.

Në këtë kërkesë të cilën e ka siguruar Telegrafi thuhet se mos lejimi i mbajtjes së ahengjeve prek edhe sektorët e tjerë siç janë blegtorët, bujqit, sektori i floktarëve, sektori i dekorimeve, ai i produksioneve filmike, sektori i hotelerisë etj.


“Bazuar në pakënaqësinë për mos lejimin e ahengjeve dhe dasmave deri me sot, si përfaqësueses të bizneseve të Republikës së Kosovës të cilët veprimtari e kanë sektorin e dasmave po ju argumentojmë që do të rrezikohet kjo veprimtari nëse nuk lejohen mbajtja e tyre. Të prekur do të jenë duke filluar nga sektori i Blegtorisë si furnizues të gastronomisë me produkte të mishit qumështit etj, sektori i Bujkut si furnizues me produkte të ndryshme të perimeve, sektori i floktarëve ( frizerë dhe frizerka) me shërbime për floktari dhe produkte të kozmetikes, sektori i dekorimeve me furnizim me dekore për ahengje të ndryshme, sektori i produksioneve filmike me furnizime me video dhe fotografi, sektori i hotelerisë me sallonet/ hapësirat për mbajtjen e ahengjeve, sektori i kreatoreve të modës me furnizime me fustane të nusërisë, vello etj. sektori i butikëve me furnizim me rroba sektori i argjendarëve e mbi të gjitha më të prekurit do të jenë pjesa dërmuese e punëtoreve ( kamerierë/e, kuzhinier/e, valltar/e, këngëtar/e, orkestra, barmen) që ekzistencë kryesore për mbajtjen e familjes e kanë punën në këta sektor të lartpërmendur”, thuhet në këreksën e OHTK-së drejtuar ministrit Armend Zemaj.

OHTK ka dalë edhe me propozim dhe plan se si të merren masat shtesë rreth ruatjes së shëndetit në rast se lejohet mbajtja e ahengjeve.

“Ideja është së pari objektet duhet dezinfektuar gjithmonë sipas rekomandimeve te IKSHP-së si dhe monitorimi nga ana e inspektoreve sanitar pastaj kontrollet nga mjeket sanitar ku punëtorët kontrollohen dhe pajisen me libreza sanitare. Shërbimet të bëhen me masa të rrepta rreth pastërtisë ku zakonisht stafi ne kuzhinë punojnë me dorëza pastaj shërbimi me doreza, në hyrje të vendosen tunele dezinfektuese që janë me kosto solide si dhe me dasmorin të mbajmë një listë me pjesëmarrës ku mund të vijë deri te identifikimi i njerëzve të infektuar”, thuhet mes tjerash në kërkesën e OHTK-së, shkruan Telegrafi.

Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva ka thënë për Telegrafin se beson që shumë shpejt do të merret vendimi për lejimin e funksionimit të këtyre veprimtarive.

“Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës në bazë të kërkesës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj ka përgatitur manualin për ahengje dhe dasma. Bazuar në faktin se në ditët e fundit kemi rënie të dukshme të numrit të të infektuarave , dhe tashmë manuali si të veprohet është i gatshëm, OHTK kërkon që të lejohen ahengjet dhe dasmat. Bazuar në premtimet e marra ne besojmë që së shpejti do të hapen këto veprimtari”, ka thënë Sogojeva.

Ai shtoi se beson që vendimi do të merret më së largu këtë javë ose gjysmën e javës tjetër. /Telegrafi/