LAJMI I FUNDIT:

Oficeri i mbrojtjes së Putinit që dezertoi zbulon sesi presidenti rus është paranojak, jeton ‘në bunkerin e tij’ dhe është i ‘tmerruar’ nga COVID-19

Oficeri i mbrojtjes së Putinit që dezertoi zbulon sesi presidenti rus është paranojak, jeton ‘në bunkerin e tij’ dhe është i ‘tmerruar’ nga COVID-19

Një oficer përgjegjës për sigurimin e komunikimeve të koduara për presidentin Vladimir Putin tha se ai ishte larguar nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë dhe zbuloi detaje rreth liderit rus.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Gleb Karakulov kishte shërbyer si inxhinier në njësinë e komunikimit presidencial të Shërbimit Federal të Gardës (FSO) dhe e shoqëroi Putinin në më shumë se 180 udhëtime gjatë 13 viteve të fundit.


Njësia siguron që Putini dhe kryeministri i tij të pajisen me komunikime të koduara 24/7.

Karakulov ka treguar se si ai arriti të ikte me familjen e tij në Turqi ndërsa shoqëronte Putinin në një vizitë në Kazakistan për një samit në mes të tetorit 2022.

Duke e ditur se largimi i tij shkelte ligjin rus, Karakulov tha: “Do të kishte qenë një krim edhe më i madh nëse do të kisha qëndruar në punën time”.

“Unë e konsideroj këtë njeri [Putinin] një kriminel lufte”, citohet të ketë thënë Karakulov, për uebsajtin hetimor “Dossier Center” që financohet nga ish-manjati në mërgim Mikhail Khodorkovsky.

Karakulov është anëtari më i lartë i shërbimeve speciale të Rusisë që dihet se ka dezertuar në historinë moderne të vendit.

Gjatë një interviste një orëshe, ai ndau detaje rreth zakoneve, familjes dhe shëndetit të Putinit.

Në këtë kontekst, Karakulov ka treguar se Putini ende nuk përdor telefona inteligjentë ose internet dhe kërkon që televizioni shtetëror rus të jetë i disponueshëm në udhëtimet e tij jashtë vendit.

Tani, ai ka zbuluar në një intervistë se Putini është kaq paranojak për sigurinë e tij personale, tentativat për vrasje dhe shëndetin dhe se ai vendos të qëndrojë ‘në bunkerin e tij’ në vend që të bëjë udhëtime të rregullta në të gjithë vendin si dikur.

Ai shtoi se Putini mbetet paranojak nga infektimi me Covid-19 tre vjet pas pandemisë dhe detyron çdo punonjës të karantinohet për dy javë përpara se të mund të jetë në të njëjtën dhomë me të.

“… Ai ka frikë patologjikisht për jetën e tij”.

“Ai e ka mbyllur veten nga bota me të gjitha llojet e barrierave: karantinën, vakumin e informacionit. Mendimi i tij për realitetin është shtrembëruar”.

Megjithatë, Karakulov mohoi spekulimet se lideri 70-vjeçar vuante nga një sëmundje e pazbuluar.

Inxhinieri i FSO-së vërtetoi disa nga raportet e mëparshme hetimore të profilit të lartë në jetën personale dhe pasurinë e Putinit.

Karakulov tha se familja e Putinit, të cilën presidenti rus nuk e ka identifikuar kurrë publikisht, ishte një “sekret i hapur” që ishte diskutuar mes oficerëve të tjerë të FSO.

Ai kujtoi kolegët që përmendnin Putinin duke qëndruar në rezidencat e tij me vajzat ose partnerët e tij të përfolura.

Karakulov konfirmoi gjithashtu raportet se Putin ka zyra identike në disa vende.

Ai ndau një moment kur Putini ishte në zyrën e tij në Soçi, ndërsa një raport televiziv thoshte se ai po mbante një takim në rezidencën e tij jashtë Moskës, qindra kilometra në veri.

“Dossier Center” ka thënë se kishte regjistruar intervistën me Karakulov diku nga fundi i vitit 2022 dhe e publikoi atë të martën pasi u sigurua që ai dhe familja e tij ishin larguar nga Turqia dhe ishin në një vend të sigurt.

Siç thuhet më tej, Karakulov tha se rezervat e tij ndaj lidershipit të Rusisë u shfaqën për herë të parë me aneksimin e Krimesë në 2014 dhe punën e tij në organizimin e udhëtimeve të shtrenjta për Putinin dhe kryeministrin Mikhail Mishustin.

Këto rezerva arritën një pikë kulminante ditën kur trupat ruse filluan agresionin mbi Ukrainë më 24 shkurt 2022. /Telegrafi/