0Shares

Prokurimi në-shtëpi paraqet një sferë delikate e cila duhet rregulluar me urgjencë përmes dispozitave të cilat parashohin për trajtim të barabartë të sektorëve publik dhe privat në aktivitete të prokurimit, duke mundësuar për konkurrencë të drejtë dhe qasje të barabartë. Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Zyrtari i Politikave të Odës Amerikane, Albion Ujkashi, theksoi se prokurimi “në-shtëpi”, gjegjësisht blerja e produkteve apo shërbimeve nga ndërmarrjet publike pa iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik përbën një temë e cila mbetet subjekt i kritikave nga asosiacionet e bizneseve, shoqëria civile por edhe nga institucionet ndërkombëtare, e kjo pasi që praktikat e zbatuara për dhënien e kontratave konsiderohen të jenë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore për barazinë e sektorëve publik dhe privat, aq më tepër kur ndërmarrjet publike dhe në pajtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike duhet të trajtohen të barabarta me ato të sektorit privat.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, theksoi se prokurimi në-shtëpi paraqet një fushë për të cilën ky institucion është detyruar që në të kaluarën të ndërmarrë hapa për të mundësuar interpretimin e dispozitave relevante në mënyrë që të kushtëzohet dhe rregullohet kjo çështje e cila parashihet dhe është e lejueshme me ligjin në fuqi mbi prokurimin publik. Megjithatë, ai pranoi se prokurimi në-shtëpi paraqet një sferë e cila duhet marrë në konsideratë për t’u adresuar tutje, gjë që mund të bëhet më saktësisht përmes hartimit të ligjit të ri mbi prokurimin, ku dhe ftoi komunitetin e biznesit që të angazhohen në dhënien e komenteve dhe rekomandimeve në këtë drejtim.

Udhëheqësi i Institutit të Ballkanit për Prokurim Publik, Ilaz Duli, theksoi se prokurimi në përgjithësi duhet analizuar nga tri këndvështrime, përkatësisht nga ai legjislativ, institucional dhe implementues. Teksa Kosova i përmbush mjaft mirë dy aspektet e para duke pasur një legjislacion të avancuar dhe mekanizma të duhura institucional, faza implementuese lë mjaft për të dëshiruar, e sidomos në rregullimin e çështjeve të prokurimit në-shtëpi. Megjithatë, Duli tha se përkundër legjislacionit të mirë për prokurimin në-shtëpi, përkatësisht me Nenin 9.4 aktual të Ligjit për Prokurim Publik, ky i fundit nuk ka qenë subjekt i ndryshim-plotësimeve që nga viti 2004, duke mos e ndjekur kështu zhvillimin e sektorëve publik dhe privat.

Duke elaboruar tutje, Duli tregon se dispozita e cila lejon prokurimin në-shtëpi si e tillë është mjaft e gjerë, megjithatë, kërkon që autoriteti kontraktues para inicimit të aktivitetit të prokurimit t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë për përmbushjen e kërkesave ndërsa në të kundërt, qëllimi i autoritetit ofrues të shërbimeve apo produkteve nuk duhet të jetë përfitimi. Në përfundim, Duli thekson se problemet mbi prokurimin në-shtëpi në Kosovë janë bërë evidente në vitin 2016 me interpretimin e Nenit 9.4 të Ligjit të Prokurimit Publik nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, andaj përbënë një çështje e cila drejtpërsëdrejti e dëmton konkurrencën e drejtë dhe duhet patjetër që të rregullohet në mënyrë të duhur përmes një Ligji të ri të Prokurimit Publik, apo ndryshimit të interpretimit nga KRPP.

Gjatë sesionit të diskutimeve, anëtarët e pranishëm në takim njoftuan panelistët mbi vështirësitë e hasura në aktivitete të prokurimit publik në përgjithësi, ndërsa potencuan nevojën për trajtim të barabartë me ndërmarrjet publike gjatë aktiviteteve të prokurimit. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)