LAJMI I FUNDIT:

Odat ekonomike mirëpresin vendimin se nuk do të ketë bllokadë totale

Odat ekonomike mirëpresin vendimin se nuk do të ketë bllokadë totale

Prej të premtes bizneset nuk do të funksionojnë njësoj në gjithë Kosovën. Ato që operojnë në qytete të kategorizuara si zona të kuqe, do të mbyllen tërësisht prej orës 19:00 e deri në ora 05:00 të mëngjesit. Më lehtë pritet ta kenë bizneset që punojnë në zonën e gjelbër. Odat ekonomike i gëzohen faktit se nuk është paraparë bllokadë totale.

Bizneset që operojnë në komunat që hyjnë në zonën e kuqe të rrezikshmërisë së COVID-19 janë ato që do të dëmtohen më shumë nga ashpërsimi i masave.


Si të tilla ato do të mbyllen tërësisht prej orës 19:00 e deri në ora 05:00 të mëngjesit. Për drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, këto masa janë më të mira sesa një bllokadë totale.

“Është mirë që brenda vendimit nuk do të ketë bllokadë totale, nuk do të ketë ndërprerje të aktivitetit ekonomik të ndërmarrjeve gati në të gjithë sektorët siç e kemi parë përgjatë vikendit të kaluar, por në të njëjtën kohë është me rëndësi që t’u bëhet me dije të gjithëve që kanë për detyrë që të zbatojnë këto masa të cilat janë rekomanduar nga IKSHPK”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arian Zeka.

E për Skënder Krasniqin, që drejton Odën e Afarizmit të Kosovës, ka një mungesë koordinimi mes qeverisë e biznesit, përcjell Telegrafi.

“Shohim një mos koordinim dhe një mospërkrahje të mjaftueshme të qeverisë ndaj biznesit, me çka po afekton në vështirësimin e gjendjes së të bërit biznes, po afekton edhe në shkatërrimin e bizneseve të cilat në vazhdimësi janë duke falimentuar dhe duke rënë punësimi në ekstrem”, deklaroi Skënder Krasniqi.

Në anën tjetër, bizneset dhe qytetarët janë duke pritur miratimin në Kuvend të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Pavarësisht kësaj, Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga bizneset që të respektojnë masat, pasi dënimet mund të shpijnë deri tek mbyllja e tyre./RTV Dukagjini/Telegrafi/