LAJMI I FUNDIT:

OAK kërkon nga MBPZHR pezullimin e Projekt udhëzimit administrativ

OAK kërkon nga MBPZHR pezullimin e Projekt udhëzimit administrativ

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës sot gjatë një takimi me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Besian Mustafa, kanë diskutuar rreth propozimit të kësaj ministrie për të iniciuar ndryshim-plotësimin e udhëzimit administrativ nr. 10/2010, gjë e cila ishte kërkuar më herët, pasi paraqet pengesa gjatë të bërit biznes në disa sektorë.

Pas analizave të bëra nga OAK së bashku me të gjitha bizneset e prekura nga këto udhëzime administrative e të cilat atakojnë bujqësinë, blegtorinë, turizmin, minierat dhe investitorët, si dhe pas takimit të përbashkët që Oda e Afarizmit kishte me përfaqësues të bizneseve nga regjione të ndryshme të Kosovës, u kërkua nga MBPZHR që të merren parasysh edhe kërkesat e tjera të bizneseve të bëra tani e disa vite, në tërësi meqenëse të parcializuara përsëri nuk do të kontribuojnë të zgjidhjen e problemit.

Në këtë takim u diskuta gjerë e gjatë secila specifikë e pengesave që këto udhëzime administrative janë duke shkaktuar dhe nevojën emergjente për ndryshim plotësimin e tyre.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi, shpalosi të gjitha rekomandimet e OAK-së dhe analizat që oda tash e disa vite ka bërë dhe kërkoi nga ministri Mustafa që propozimi i publikuar në diskutim publik për ndryshim-plotësim të udhëzimit administrativ të pezullohet, pasi që si i ndarë nga udhëzimet e tjera nuk do të zgjidhë problemet e evidentuara.

Me këtë rast u kërkua që të iniciohen bashkërisht edhe tri udhëzimet e tjera, në mënyrë që si tërësi të eliminojnë barrierat aktuale.

Idriz Zejnullahu, përfaqësues nga bizneset, tha se rritja e sipërfaqes që mund të merret në shfrytëzim nga biznesi pa ulje të çmimit për hektarë është ngarkesë shtesë për biznesin.

Ai propozoi që pa pikat e lirimit të taksave, ky ndryshim do të ishte i pa efektshëm, pasi nëse një biznes merr 20 hektarë, atëherë ai detyrohet të paguajë 40,000 euro në vit qira për shfrytëzim të tokës, që është një kosto shumë e lartë.

Ministri në detyrë Besian Mustafa u shpreh i hapur për bashkëpunim, duke theksuar se do të formojë dy grupe punuese për analizë të detajuar të kërkesave dhe udhëzimeve, në mënyrë që të shikohen mundësitë e plotësim-ndryshimeve të tyre, duke u bazuar në kornizën ligjore. /KP/