LAJMI I FUNDIT:

Nxënësit shembullorë ndërprenë mësimin pasi komuna ua ndali transportin

Nxënësit shembullorë ndërprenë mësimin pasi komuna ua ndali transportin

Dy fëmijë të fshatit të Gumnishtë të Vushtrrisë nuk e kanë nisur vitin e ri shkollor para një muaji sikurse bashkëmoshatarët e tyre, pasi komuna ua ka ndalur transportin që ua ka mundësuar për dy vjet. Shtëpia e tyre është rreth 15 kilometra larg shkollës dhe prindi i nxënësve thotë se nuk ka kushte financiare që vet t’i dërgojë në shkollë. Komuna thotë se ka ofruar një opsion tjetër pasi organizimi i transportit ka kosto të madhe, por ajo mundësi nuk i përshtatet familjes.

Çantat i kanë në krah, por automjeti që i merrte zakonisht për t’i dërguar në shkollë nuk po vjen më.


Këta dy nxënës që jetojnë në thellësi të fshatit Gumnishtë të Vushtrrisë janë në klasën e tretë, por rastet që kanë mësuar në shkollë janë të rralla që nga 1 shtatori.

Prandaj, mësimet po i bëjnë në shtëpi. Dy vitet paraprake transportin ua kishte mundësuar Komuna e Vushtrrisë, por sivjet e ka ndërprerë atë.

Babai i nxënësve, Selman Ismajli thotë që vet e ka të pamundur t’i dërgojë çdo ditë në shkollë.

“Sivjet janë dal në klasë të tretë, nuk është duke i bartë kërkush, unë kushtet nuk i kam me i bartë, mundësitë nuk i kam. Ti po e sheh edhe vet rrugën si e kanë lënë këndej, dy banorë jemi këtu, përmbi 10 anëtarë jemi”, shprehet Ismajli.

Ndërprerjen e transportit, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi e arsyeton me koston e madhe. Ai thotë se kjo i ka detyruar që prindit t’i ofrojnë një zgjidhje tjetër.

“Unë i kam thënë prindit me dërgu një kërkesë edhe me i ndihmu me mjete sepse po nuk po mundemi me kontraktu një operator pasi është kostoja tepër e madhe me çu atje, me ia bajt fëmijët, e i kam thanë prindit nëse e merr t’i përsipër me i bartë, ne t’i mbulojmë shpenzimet e derivateve”, thotë Idrizi.

Por, prindi Ismajli thotë se komuna po e neglizhon rastin e tij.

“Jam kanë në komunë, te kryetari, m’ka thanë po po edhe si të dal kurgjo hiç, nuk më marrin parasysh. Jam kanë edhe tek drejtori i shkollave që është, edhe te ai dy-tre herë, ma kanë marrë numrin e telefonit, as nuk më kanë thirrë as sen të Zotit”, deklaron prindi.

Rruga që të çon tek lagjja e fshatit ku jetojnë dy nxënësit është mjaftë e vështirë, ndërsa nga atje, shkolla “Anton Zako Çajupi” është larg rreth 15 kilometra.