eksperti-banner

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vazhduar publikimin e rezultateve për kandidatët për deputetë, ndërsa deri më tani janë numëruar 2.016 nga gjithsej 2.498 vendvotime në nivel vendi, apo mbi 80% të votave.

Sipas të dhënave të përditësuara, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, prin në listën e partisë me 33.858 vota.


Pas tij renditet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj me 30.514 vota, ndërsa i treti është Daut Haradinaj me 23.052 vota.

Në mesin e kandidatëve më të votuar të AAK-së janë edhe:

Besnik Tahiri – 19.878 vota

Bekë Berisha – 16.401 vota

Burim Ramadani – 14.502 vota

Time Kadrijaj – 14.068 vota

Agim Çeku – 12.872 vota

Arber Tolaj – 12.116 vota

Albana Bytyqi – 8.126 vota

Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 43 për qind,

Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 21 për qind,

Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me nën 18 për qind e Aleanca e katërta me 7 për qind.

Në këto të dhëna nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës, të cilat ende nuk janë numëruar.

Sipas formulës D’Hondt, në bazë të këtyre rezultateve, LVV-ja pritet të ketë 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20 e Aleanca 8.

Sipas KQZ-së të enjten në orën 16:00 në Qendrën e numërimit dhe rezultateve nis procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike.

Votimi fizik jashtë Kosovës është zhvilluar më 6 qershor në 30 përfaqësitë diplomatike. Nga 27,724 votues të regjistruar kanë votuar rreth 81% e tyre apo 22,414.