LAJMI I FUNDIT:

Nuk kam shkruar asnjë letër dashurie, nuk ia kam thënë asnjë fjalë të bukur gruas

Nuk kam shkruar asnjë letër dashurie, nuk ia kam thënë asnjë fjalë të bukur gruas

Vaclav Havel – disidenti, dramaturgu dhe presidenti i Çekosllovakisë demokratike e pastaj Çekisë – në një intervistë dhënë për gazetarin Karel Huizdala, është shprehur se nuk ka shkruar asnjë letër dashurie.

“Letrat e dashurisë nuk janë për botim. Unë, për më tepër, nuk mund të botoja sepse në gjithë jetën time nuk kam shkruar asnjë të tillë. Në thelb, të paktën në disa aspekte jam një person shumë i turpshëm. Përveç kësaj, në shprehjet e shkruara gjithnjë jam përpjekur të jem shumë i kujdesshëm edhe nga frika e një shpërdorimi të mundshëm dhe kjo si nga policia sekrete në kohën si disident ashtu edhe nga ndonjë person kërkues i sensacioneve në kohën që kam qenë president”, shprehet Havel.


Më tej, duke folur për sëmundjen e së shoqes Olgës, ai thotë: “Tashmë nuk e di kur dhe se si kam informuar publikun për sëmundjen e Olgës, por këtë duhet ta bëja. Njerëzit e donin atë, për këtë dëshmuan radhët e pafundme të qytetarëve, të cilët erdhën për të bërë homazhe pas vdekjes, e për këtë ata askush nuk i detyroi. Ishte person publik aktiv, e cila në ndërgjegjen e përgjithshme ishte e lidhur me personin tim. Ishte e nevojshme të jepja shpjegime se përse prej një kohe të gjatë nuk shfaqej përkrah meje dhe aspak në publik. Kishte tumor në tru, e dinin këtë prej dy vitesh; vuajti shumë nga sëmundja, si nga pasojat shoqëruese ashtu edhe nga kurimi hemoterapik. E përballoi këtë me dinjitet, e konsideroi gjendjen e saj si diçka private, nuk ankohej dhe nuk qante, nuk fliste me kënaqësi për këtë. Patëm përshtypjen, nëse kjo ishte e mundshme dhe nuk ishte lojë e njeriut që nuk dëshiron të flasë për veten, se ishte e pajtuar me vdekjen që po trokiste. Thoshte se kushdo e ka të përcaktuar kohën e tij. Muajt e fundit nuk dilte nga shtëpia, ose ishte në spital”.

I pyetur se si e përjetoi afrimin e fundit të njeriut më të afërt të jetës, me të cilën jetoi më shumë se 40 vite, Havel shprehet: ”Sigurisht ishin këto ditë të vështira për mua. U përpiqja t’i jepja kurajë, t’i thosha diçka të bukur, të dashur, por ajo menjëherë e kuptonte pse e bëja këtë dhe më thoshte që t’i lija këto muhabete. Nuk e kishim zakon që t’i thoshin njëri-tjetrit gjëra të bukura. E dinim se ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe të varur nga njëri-tjetri dhe kjo nuk mund te zhvlerësohet nga asnjë koment. Sigurisht që shumë kam menduar për jetën tonë të përbashkët, çfarë i dhamë njëri-tjetrit dhe se si do të jetoj pa të. Olga me thoshte të martohesha përsëri; e dinte se nuk mund të jetoja i vetëm. Edhe unë e dija këtë dhe u ndërgjegjësova se kisha vetëm dy mundësi, ta ndiqja atë ose të filloja një jetë të re. Për mua ishte shumë e rëndësishme kur në shtratin e vdekjen më tha se nuk e kisha tradhtuar asnjëherë. Me këtë mendoi diçka me të thellë sesa ‘sjelljet e mia liberale’ për të cilat dinte shumë më tepër se kushdo tjetër dhe të cilat, sigurisht, nuk i pëlqenin”. /Gazeta Shqip/