LAJMI I FUNDIT:

​“Nuk ka pasur sistem të rrahjes e të vrasjes”, dëshmia e ish-komandant Remit në Speciale

​“Nuk ka pasur sistem të rrahjes e të vrasjes”, dëshmia e ish-komandant Remit në Speciale

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka mohuar të jenë rrahur apo vrarë persona të mbajtur në pjesën që ai ishte përgjegjës. Si dëshmitar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ai ka deklaruar se ka ekzistuar përkujdese për të mbajturit në objektet e ndalimit.

Edhe në këtë seancë ka pasur vështirësi në dëgjimin e përgjigjeve të plota të dëshmitarit meqë në disa raste fjalia e tij nuk është transmetuar me zë prej fillimit të saj.


Pyetjet për të nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë përfunduar në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Hagë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Clarie Lawson, ish-komandant Remi ka thënë se nuk ka qenë ndonjëherë në dijeni për ndonjë rast të rrahjes së personave të mbajtur në zonën e Llapit.

Prokurorja Lawson: Sot, e pranoni vendimin që ju shpalli përgjegjës për përgjegjësi të ndërmarrjes kriminale dhe përgjegjësi komanduese për ndalimin dhe keqtrajtimin e civilëve?

Mustafa: …unë e kam kundërshtuar përmes avokatëve të mi, pjesë të vendimit. Mirëpo kam pajtuar me vendimin final.

Prokurorja Lawson: E pranoni se të mbajturit në Zonën Operative të Llapit janë rrahur dhe janë vrarë?

Mustafa: Jo nuk e pranoj, nuk ka pasur sistem të rrahjes e të vrasjes, derisa kanë ardhur në komandën tonë, ata kanë mundur të rrahën gjatë rrugës por në objektet e ndalimit ata kanë qenë në kujdesje të mirë, nën përkujdesje të mirë.

Prokurorja Lawson: Pranoni se mund të ketë ndodhur që njerëzit mund të jenë rrahur në Zonën e Llapit pasi të jenë arrestuar?

Mustafa: Nuk kam qenë në dijeni por nuk e di, nuk mund ta përjashtoj, unë nuk kam qenë në dijeni për asnjë rast. Nuk kam pasur nevojë të jem i shqetësuar për këtë punë sepse nuk ka pasur raporte të unë.

Rrustem Mustafa nuk e ka mohuar se e ka vizatuar ndërtesën e Policisë Ushtarake në Llapashticë, që sipas tij ka qenë pranë shtabit.

Ai ka thënë se i ka parë disa prej të mbajturve në atë objekt.

Prokurorja Lawson: Dhe ju u patë disa prej të mbajturve përreth aty?

Mustafa: Po.

Prokurorja Lawson: Ju autorizuat apo urdhëruat disa prej arrestimeve, e saktë?

Mustafa: Po.

Prokurorja Lawson: Ju keni marrë vendime për vazhdimin e mbajtjes, apo për lirimin e disa prej të mbajturve, e saktë?

Mustafa: Të gjitha i kam nënshkruar.

Prokurorja Lawson: Ju merrnit informacion për rrethanat në të cilat janë kryer disa prej arrestimeve apo jo…Dhe ju e dini se disa njerëz kanë rezistuar apo jo…Dhe ju e pranoni se këta njerëz mund të jenë rrahur apo jo?

Mustafa: Unë them se derisa kanë hyrën në kontrollin e ushtarëve të mijë kanë mundur të rrahën, derisa është pamundësuar rezistenca e tyre.

Ndërsa pasi ka paraqitur një tjetër dokument në gjykatore, por duke mos e bërë të ditur për publikun, prokurorja ka insistuar në pyetjen nëse personat e mbajtur janë rrahur.

Kjo ka nxitur reagimin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, ku avokati Luka Misetiq e ka kundërshtuar një metodë të tillë të pyetje.

Prokurorja Lawson: Realiteti është që rrahje kanë ndodhur apo jo?

Avokati Misetiq: E lejova të bëhen shumë pyetje sugjestive, e kundërshtoj një metodë të tillë.

Prokurorja Lawson: E vërteta është se kanë ndodhur rrahje apo jo?

Mustafa: Nuk është e vërtetë.

Prokurorja Lawson: Besoni se Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti ju kanë gënjyer lidhur me trajtimi që u kanë bërë të ndaluarve?

Mustafa: Besoj që përgjegjësitë e tyre ata i kanë ushtruar drejt dhe siç duhet.

Prokurorja Lawson: Dhe ju mund të kishit hyrë në qendrën e ndalimit në çdo kohë, nëse do të kishit pasur dëshirë.

Mustafa: Nuk ka pasur diçka që më ndalon mua, por nuk kam pasur asnjëherë arsye për me bë një gjë të tillë, ose me dyshu që atje po keqtrajtohet dikush.

Prokurorja Lawson: Ishte lejuar që bashkëpunëtorët madje edhe të ekzekutoheshin apo jo?

Mustafa: Asnjëherë, dhe nuk ka pasur raste të tilla zonja prokurore.

Prokurorja Lawson: A janë ekzistuar bashkëpunëtorë në zonën e Llapit?

Mustafa: Nëse mendoni që kanë ndodhur vrasje pa filluar lufta por edhe gjatë luftës, ne në luftë kemi qenë, por nuk ka person që është ndaluar dhe pastaj është ekzekutuar.

Prokurorja Lawson: A e keni autorizuar ju vrasjen e bashkëpunëtorëve?

Mustafa: Nuk kam autorizuar asgjë unë, pro marr përsipër gjithçka që ka ndodhur në komandën time dhe që ne publikisht jemi shprehur për këto raste.

Prokuroja Lawson: A keni vrarë ndonjë bashkëpunëtorë?

Avokati Emerson: Janë lejuar pyetjet në bazë të mënyrës se si i paraqet provat prokurorja, a mund të kërkoj se ku e mbështet pretendimin e saj prokurorja se dëshmitari ka vrarë njëri, në çfarë baze?

Gjykatësi Smith: Jo nuk mund ta bëni, vazhdoni prokurore.

Mustafa: …(Nuk dëgjohet).

Tutje, dëshmitari Rrustem Mustafa është pyetur për angazhimin e tij pas luftës dhe përfshirjen e tij në Partinë Demokratike të Kosovës si dhe punësimin pranë ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Madje, marrëveshja e tij e punës në Presidencën e Kosovës, bashkë me pagën në të, është dorëzuar si provë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjithashtu, si provë janë dorëzuar edhe disa dokumente të tjera, ndër të cilat edhe faqe të librit të Skënder Zhitisë.

Gjatë kësaj seance, ish-komandant Remi është pyetur edhe për sektorin e inteligjencës.

Prokurorja e ka pyetur atë për termin “luftë speciale” për çka Remi ka thënë se nuk i kujtohet nëse i njëjti është përdorur në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.

Clarie Lawson e ka paraqitur një dokument, jo për publikun, për të cilin ka thënë se është “Komunikata 54”.

Për këtë, ish-komandant Remi ka thënë se kjo është trajtuar në komunikatë me publikun dhe jo me komandantët e zonave.

“… me komunikatë për mjete të publikut, po jo me ne komandantët e zonave. Këto mund të merren edhe si në forume të UÇK-së kjo çështje. Ose ka mundur të flet.. ku njerëzit i shihnim të djegur të gjallë, shihnim na vriteshin shokë, njerëz para vetës, dhe nuk e kishim komoditetin të flisnim për terminologji të caktuara”, ka thënë ai.

I pyetur nëse Zona Operative e Llapit kishte nxjerrë ndonjë pamflet apo dokument lidhur me “luftën speciale”, ish-komandant Remi ka thënë se nuk i kujtohet por e ka pranuar si të tij një dokument që e ka shfaqur prokurorja.

Në po këtë seancë, prokurorja ka pyetur ish-komandant Remin se cilat ishin linjat e furnizimit të armëve drejt Kosovës, për çka ai ka thënë se i kanë marrë ku kanë mundur por që Shqipëria ishte mundësia më reale.

Aty ku mundonim i merrnim, si më të rregullt e kemi llogaritë Shqipërinë me siguri, si mundësi më reale e jona ishte Shqipëria. Për mua si komandant zone ku isha në kufi me Serbinë ka qenë edhe përmes rrugëve të biznesit me Serbinë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se UÇK financohej nga njerëz të ndryshëm duke theksuar edhe fondin e luftës prej 3%.

Tutje, prokurorja Lawson e ka pyetur atë rreth negociatave në Rambuje.

Ish-komandant Remi ka thënë se ato kanë ndodhur në muajt e parë të vitit 1999 por që për të njëjtat ka mundur të flitet edhe në vitin 1998.

Prokurorja Lawson: Pati takime të brendshme në UÇK në mes të anëtarëve të shtabit të Përgjithshëm dhe komandave të zonave para kësaj periudhë dhe rreth kësaj periudhe kohore. A ishin të shpeshta?

Mustafa: Nuk ka qenë të shpeshta dhe jemi takuar dhe këtu njihemi më mirë me zotëri Hashim Thaçi dhe të tjerët.

Prokurorja Lawson: Ju ishit në favor të faktit që UÇK të dërgonte një delegacion në Rambuje?

Mustafa…(Nuk dëgjohet)

Prokurorja Lawson: Ju ishit në favor?

Mustafa: …të shkohet në Rambuje, megjithëse unë kam pasur favoritin tim, Adem Demaçi për të shkuar atje, ai nuk ka pranuar të shkojë.

Prokurorja Lawson: A ka pasur takim me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm përpara se të refuzonte pjesëmarrjen?

Mustafa: Po.

Prokurorja Lawson: Anëtarët e delegacionit më pas, erdhën të konsultoheshin me funksionarët e lartë të UÇK-së, përfshirë edhe ju, sa i takon kushteve të marrëveshjes.

Mustafa: Kur janë kthyer prej Rambujesë, dhe unë isha pjesëmarrjes.

Prokurorja Lawson: Kur erdhi puna për nënshkrimin e marrëveshjes, ju çfarë pikëpamje patët?

Mustafa: Unë kam qenë kundër para se të ktheheshin e të flisnim me ne.

Prokurorja Lawson: Dhe pasi folët me ta?

Mustafa: Pas ardhjes së tyre kanë sqaruar mirë dhe jemi kuptuar që duhet të shkohet përsëri në Rambuje për të përfunduar negociatat dhe për të nënshkruar.

Prokurorja Lawson: Çfarë ju shtyu të vendosnit që të mos e prishnit këtë marrëveshje duke mos qenë kundër?

Mustafa: Kanë folur me mua të gjithë miqtë e mijë, ka pasur edhe faktorë të tjerë nga jashtë që më kanë bindur, gjithashtu edhe zoti Adem Demaçi ka thënë se duhet të vazhdohet rruga dhe udhët të nënshkruhet kjo marrëveshje, edhe pse ai ka qenë kundër.

Disa pyetje të prokurores janë bërë edhe rreth emërimit të Sylejman Selimit komandant i UÇK-së.

Dëshmitari ka thënë se të pranishëm kur është bërë emërimi i tij kanë qenë komandantët e zonave.

“Për ne nuk ishte ndryshim për mua personalisht ka qenë emërim (Sylejman Selimi). Donim ta ndihmonim delegacionin e Rambuejë dhe ne nuk pranojmë marrëveshje të çfarëdo që ofrohet, duhet të jenë marrëveshje që përputhen me interesat e kombit tonë. Dëshironim të kishim komandantin, ta dinim se kë kishim komandant”, ka thënë ish-komandant Remi.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e ZPS-së, avokati i viktimave Simon Laws ka deklaruar se ka pyetje për dëshmitarin por seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Dëshmia e ish-komandant Remit do të vazhdojë edhe të premten në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai është betuar si dëshmitar të martën para turpit gjykues në Hagë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit.

Të akuzuarit kanë marrë pjesë fizikisht në sallën e gjyqit për ta dëgjuar këtë dëshmi.

Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori