“Nuk ka garanci” – deklarata që e çon Rosenior drejt Chelseat

Liam Rosenior ka hapur derën për t’u bërë trajneri i ri i Chelseat, duke pranuar se nuk ka asnjë garanci që do të qëndrojë te Strasbourg deri në fund të sezonit.
41-vjeçari është kandidati kryesor për të zëvendësuar Enzo Marescan, i cili u largua në Ditën e Vitit të Ri, dhe pritet që së shpejti të ketë zhvillime konkrete.
Pengesa kryesore që duhet kapërcyer lidhet me faktin se BlueCo, fondi investues që zotëron si Chelsean ashtu edhe Strasbourgun, dëshiron të tregojë ndjeshmëri ndaj nevojave të të dy klubeve.
Para se anglezi të largohet nga klubi i Ligue 1, duhet të sigurohet një zëvendësues cilësor për Rosenior te Strasbourg.
Rosenior do të jetë në pankinën e Strasbourgut kur ata të përballen me Nicen të shtunën në mbrëmje dhe nuk ka asnjë garanci që ai do të jetë në krye të Chelseat për ndeshjen kundër Fulhamit të mërkurën.

Megjithatë, ish-mbrojtësi i Brightonit pranoi se situata mund të zhvillohet shpejt, kur u pyet të premten nëse e shihte veten duke qëndruar te Strasbourg.
“Nuk ka garanci në jetë. Ajo që di është se unë jap gjithçka për këtë punë. Kam krijuar lidhje të jashtëzakonshme me njerëzit e këtij klubi. Kemi krijuar disa kujtime vërtet të bukura”.
“Nuk mund të garantosh asgjë në jetë. Sa i përket interesimit nga klube të tjera, kam pasur shumë interes”.
“Shumë kontakte, për të cilat gjithmonë kam qenë i hapur me klubin. Disa janë bërë publike dhe disa jo”.
“Fokusi im është gjithmonë te puna që bëj. Por të thuash se patjetër do të jem diku apo patjetër do të bëj diçka, nuk mendoj se është e drejtë”, ka deklaruar Rosenior./Telegrafi/

































